Transmetuar më 10-12-2019, 15:56

Kryetari i Partisë Demokratike dega e Durrësit, Ferdinand Xhaferri, është takuar sot me banorët e lagjes 18, pallatet dhe banesa e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Teksa u njoh nga afër me shqetësimin e tyre, Xhaferri nuk kurseu kritikat ndaj kryeministrit, ndërsa sipas tij, Rama po përpiqet të mbulojë provat e korrupsionit. Banorët kërkojnë certifikimin nga shteti për t’u rikthyer të qetë në banesat e tyre.

Sipas tyre, qeveria nuk ka dërguar asnjë njeri të vlerësojë situatën, ndërsa një tjetër banore kërkon siguri nga shteti që apartamenti i saj është i banueshëm dhe të rikthehet së bashku me familjen.

Më tej Ferdinand Xhaferri, teksa u takua me banorët e Durrësit, ritheksoi se zgjidhja është plani që opozita ka propozuar për masat urgjente që duhen marrë për lehtësimin e këtyre problemeve të banorëve të dëmtuar nga tërmeti.

“Qytetarët janë shumë të axhituar. Kanë dy javë që i tallin me copa letre dhe e vërteta është kjo, po nuk pate mik ose fle në makinë, ose në banesën e pasigurt. I vetmi vendim konkret i Edi Ramës ka qenë porosia që i dha Këshillit Bashkiak të Durrësit që të emërojë njeriun e Vangjush Dakos në krye të Bashkisë. Kjo tregon se axhenda e qytetarëve nuk përputhet me axhendën e qeverisë”, tha Xhaferri.

Ai shtoi faktin se qytetarët duan siguri për banesat e tyre ndërsa qeveria vrapon për të fshehur provat. “Shohim qeveritarët dhe z.Rama që lëvizin lart e poshtë për të përcjellë mesazhin sikur qeveria po mundohet të jetë pranë të gjithëve por në fakt qeveria nuk i gjendet pranë askërkujt. Qytetarët duan që të vendoset se kush janë përgjegjësit e masakrës qeveritare ndërsa shohin qeverinë që vrapon për të marrë veprime për të prishur, për të fshehur gjurmët.

Kemi lagjen 18, por edhe lagjen 4, lagjen 5, lagjen 6. Ka një panik shumë të madh sepse ato banesa që konsiderohen zona të mira qytetarët janë në panik sepse thonë që KÇK-ja qeveritare po përgatitet që t’u prishë banesat dhe t’i strehojnë në periferi të qytetit. Zoti Rama duhet të japë një përgjigje këtij shqetësimi”, tha Xhaferri./b.l/noa.al/