Transmetuar më 21-12-2019, 22:53

Liverpul, fitues në fuqi i Champions League, ka arritur të fitojë edhe Botërorin e Klubeve duke mundur në finalen e Katarit brazilianët e Flamengos.

Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klop, e gjeti fitoren në fundin e kohës shtesë për të ngritur lart trofeun, për herë të parë në histori.

Anglezët, edhe pse pesë herë të tjera fitues të Champions, nuk kishin fituar kurrë as këtë turne që më parë mbante emrin: Kupa Ndërkontinentale.

Pjesa e parë ishte shumë e qetë, me asnjë gjuajtje në kuadrat nga të dy skuadrat të cilat studiuan njëra-tjetrën, ndërsa e dyta filloi me shtyllën e Firminos e me disa raste radhazi për të kuqtë.

Gabigol reagoi nga brazilianët me shpërthimet e tij, ndërsa Liverpuli dominoi e krijoi raste të tjera, por pa mundur të kalonte portierin Alvesh.

Në kohë shtesë, Liverpul dominoi në lojë e krijoi raste, por e goditi kundërshtarin me kundërsulm në momentin e parë që Flamengo krijoi hapësira. Mane me një shpërthim në të djathtë gjeti Firminon, i cili dërgoi topin në rrjetë në minutën e 99 të sfidës. Goli rezistoi deri në fund, pavarësisht disa mundësive që krijoi Flamengo për të barazuar rezultatin.

Klop i solli Liverpulit edhe trofeun e vetëm që i mungonte në histori.

I pranishëm në këtë finale ishte edhe kreu i FSHF-së Armand Duka, me ftesë të FIFA-s. Duka bëri takime me disa nga homologë të tij, krerë të federatave të ndryshme, apo zyrtarë të klartë futbolli.

Gjatë finales Liverpool-Flamengo, Duka u takua dhe bisedoi me Levan Kobiashvili, President i Federatës Futbollit të Gjeorgjisë, George Koumas President i Federatës së Qipros, Michail Kassabov, President në detyrë i Federatës Bullgare dhe drejtues të tjerë të botës së futbollit./NOA.al