Transmetuar më 14-01-2020, 21:16

Pas vendimit për lirimin nga burgu të Endrit Dokles, i dënuar me burgim përjetë, ndër argumentat e vendimit të marrë nga gjyqtjarja Enkelejda Hoxha ishte fakti se ish anëtari i bandës së Durrësit kishte siguruar një kontratë pune.

Konkrata e mëposhtme e punës, e përcjellë nga abcneës, tregon se kompania “Mateo Konstruksion sh.p.k” do ta marrë në punë Doklen, fillimisht për një periudhë prove prej disa muajsh.

“Une administratori i shoqerisë, Agim Cako deklaroj se pas vuajtjes se denimit prej shtetasit Endrit Dokle do ta punesoj prane shoqerise “Mateo construction shpk” me detyrë punëtor ndërtimi.

Kontrata është për 1 vit dhe paga 350 mijë lek në muaj”, thuhet në kontratë.

Por sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se kompania “Mateo Konstruksion” është debitorë ndaj një subjekti tjetër dhe se ende nuk i është përgjigjur detyrimeve të saj. Kësisoj mbi kompaninë në fjalë është vendosur një sekuestro konservative aktive që mban datën 30 prill 2019.

Në urdhrin e përmbaruesit Euglent Osmanaj thuhet se “Mateo Konstroksion” është debitore ndaj subjektit “Ndue Gjelaj” dhe nuk i është përgjigjur kërkesës për shlyerjen e detyrimeve brenda afatit.

Për këtë arsye ai i ka dërguar QKB-së urdhrin për vendosjen e sekuestros ndaj kompanisë deri në një vendim të dytë.

Vendimi i dytë nuk rezulton të jetë dhënë akoma. Kjo do të thotë se gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha ka marrë për bazë kontratën e një të dënuari me burgim të përjetshëm me një kompani nën sekuestro.

/NOA.al