Transmetuar më 17-01-2020, 14:52
Foto ilustruese

Një operacion ndërkombëtar antidrogë, është zhvilluar mes policisë italiane dhe asaj shqiptare në orët e para të mëngjesit të sotëm në Itali dhe Shqipëri.

Operacioni i koduar “Brokers” prej katër vitesh, u zhvillua për goditjen e një organizate kriminale në fushën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, marijuanë, heroinë e kokainë, si dhe të armëve e municioneve luftarake.

Më datë 17 janar u zhvillua operacioni i përbashkët policor “BROKERS” midis policisë italiane dhe policisë shqiptare, si rezultat i të cilit u arrestua në qytetin e Shkodrës shtetasi Luan Delaj, 50 vjeç, banues në Shkodër.

Operacioni në Shqipëri u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale, ZQK Interpol Tirana.

Ndërsa në Itali u drejtua nga Skuadra Operacionale e Seksionit kundër Drogës, në bashkëpunim me komisariatin e policisë së qytetit të Tranit.

Si rezultat i këtij operacioni u godit një organizatë kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, në zonën e qyteteve të Andrias dhe Cerignolas.

Hetimet për këtë operacion kishin filluar pas vrasjes së shtetasit italian F. F., në qytetin Trani, në janar të vitit 2015.

Personi që kontrollonte dhe organizonte trafikun e drogës nga Holanda, Gjermania dhe Shqipëria ishte një shtetas shqiptar, i cili nëpërmjet njohjeve të tij i siguronte organizatës kokainë, heroinë dhe hashash. Sasia e drogës vinte me anë të korrierëve që zakonisht e fshihnin në ndarjet e dyfishta në makina.

Kjo organizatë e kishte qendrën në qytetin e Foggias. Si rezultat i hetimeve të përbashkëta mes Policisë italiane dhe Policisë se Shtetit u arrit që të arrestoheshin 20 persona dhe të sekuestroheshin 440 kilogramë droga të ndryshme si kokainë, heroinë dhe hashash, si dhe disa armë zjarri. /a.y/noa.al