Transmetuar më 23-01-2020, 12:06

Kryedemokrati Lulzim Basha reagon pas raportit të Transparency International, lidhur me perceptimin e korrupsionit.

Ai thotë se degradimi i skajshëm dhe kriminalizimi kapilar i qeverisjes “Rama”, është një realitet i hidhur që provohet qartë nga raportet më të besueshme profesionale të organizatave prestigjioze ndërkombëtare sikurse është Transparency International.

Sipas tij, korrupsioni i kësaj qeverie po shkatërron ekonominë dhe po na kalb atdheun.

“Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të realizuar nga kjo organizatë, për shkak të qeverisjes aktuale, Shqipëria po pëson një përkeqësim dramatik të gjendjes së korrupionit duke zbritur edhe 7 vende të tjera vetëm gjatë vitit të fundit. Në mesin e 180 shteteve të marra në shqyrtim për nivelin e integritetit, Shqipëria renditet në vendin e 106-të, në të njëjtin nivel me vende si Bregu i Fildishtë apo Mongolia”, thotë Basha.

Ai shton se kjo është arsyeja se pse i duhet qeverisë Rama paketa ligjore “Anti-Fjalës së Lirë”, për të penguar daljen në shesh të korrupsionit masiv qeveritar që po përmbyt Shqipërinë. /a.y/noa.al

Raporti i Transparency International: Shqipëria humb 7 vende në luftën kundër korrupsionit