Transmetuar më 26-01-2020, 13:43

Kontrolli i Lartë i Shtetit në shtator të vitit 2019, ka publikuar në faqen e tij zyrtare Auditimin e Performancës të kryer në Institutin e Ndërtimit, përfundim i një kontrolli performance të kryer për herë të parë ndaj këtij institucioni.

Duke evidentuar gjetjet e KLSH, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit tha sot se ajo që vlen të evidentohet është se në këtë institucion janë të punësuar inxhinierë dhe arkitektë të paliçensuar dhe pa eksperiencë në kundërshtim me ligjin. Ironia qëndron në faktin e zbuluar se 3 nga 11 inxhinierët dhe arkitektët që unanimisht kanë firmosur Raportin e Vlerësimit të godinës së Teatrit Kombëtar, referuar Regjistrit të Licensave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, janë te paliçencuar.

Gjithashtu, Instituti i Ndërtimit në Vlerësimin Teknik të godinës së Teatrit Kombëtar, në Mars të vitit 2018, ndër të tjera ka dalë në konkluzionin se objekti është jashtë kushteve teknike. Për t’u theksuar nga ky dokument është fakti se këto konkluzione janë arritur pa kryer asnjë analizë profesionale në lidhje me materialet dhe strukturat mbajtëse të objektit dhe asnjë provë laboratorike nuk është kryer për ato. KLSH-ja konstaton në përfundim të auditimit se Instituti i Ndërtimit nuk disponon asnjë laborator tekniko-shkencor dhe kjo ka sjellë në dhënien e oponencave jocilësore duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi.

Ky vlerësim teknik i kërkuar në mars të vitit 2018 me kërkesë të Hervin Çulit, drejtor i Teatrit Kombëtar, me sa kuptohet sot, kishte pasur për qëllim jo sigurinë e objektit, por të nxirrte me hir a pahir se godina e Teatrit Kombëtar nuk vlen dhe se duhet shembur. Ishte pikërisht ky dokument, i cili solli më pas një zinxhir dokumentash teknike dhe ligjorë duke bërë të mundur edhe miratimin e ligjit famëkeq "Fusha" më 5 korrik të po atij viti.

Aleanca qytetare për Mbrojtjen e Teatrit thotë në vijim të deklaratës së sotme se do ta qëmtojë më tej këtë çështje për të çuar përpara drejtësisë të gjithë përgjegjësit e aferës së madhe që po tentohet të kryhet me pronën dhe objektin e Teatrit Kombëtar.

Arkitektja Doriana Musai, aktiviste e njohur e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, duke komentuar sot këtë zbulim, thotë: "Teatri, stadiumi, akademia e arteve, muzeu kombetar, galeria kombetare, ministrite…. insititucione publike si godina e hipotekes, fakulteti mjekesise, fakulteti i inxhinierise etj etj. Ne mos te gjitha keto, nje sere godinash publike i jane nenshtruar kontrollit teknik nga ana e ketij institucioni, pas termetit te 26 nentorit".

http://www.institutindertimit.al/sq/content/publikime

http://www.klsh.org.al/web/raporti_auditimit_instituti_i_ndertimit_web_1_5145.pdf

http://www.klsh.org.al/web/vendimi_in_web_1_5144.pdf

https://www.infrastruktura.gov.al/wp-content/uploads/2019/12/16.-Individ-q-disponojn-licenc-t-vlefshme-pr-studim-e-projektim-n-ndrtim-28-Tetor-2019.pdf