Transmetuar më 08-04-2020, 18:45

Arabia Saudite pritet që të regjistrojë deri në 200 mijë raste me infeksionin e koronës brenda javëve të ardhshme, njoftoi ministri i Shëndetësisë së këtij vendi.

Mbretëria saudite deri tani ka shënuar 3.122 raste, numri më i lartë në Lindjen e Mesme, përveç Iranit, ndërkohë që numri i vdekjeve është 41.

“Brenda javëve të ardhshme, numri i infeksioneve do të variojë deri në 200 mijë”, tha ministri Tafik al-Rabia. Ai sqaroi se ky parashikim bazohej në katër studime të bëra nga ekspertë sauditë dhe ndërkombëtarë.

Ministri i Shëndetësisë Rabia paralajmëroi se mbretëria përballet me një “moment kritik” në luftën kundër virusit.

Disa qytete saudite, përfshi këtu edhe kryeqytetin e vendit, Riadin po i nënshtrohen izolimit të plotë, një masë e cila u shpall dy ditë më parë nga ministri i Brendshëm i këtij vendi.

Qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës janë po ashtu të izoluar, duke vënë në diskutim pelegrinazhin e këtij viti. /e.i/noa.al/

LIVE: