Transmetuar më 08-04-2020, 19:54

Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë përcaktuan planet për një reagim të fuqishëm dhe të synuar të BE-së për të mbështetur përpjekjet e vendeve partnere në trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Veprimi kolektiv i BE-së do të përqendrohet në trajtimin e krizës së tanishme shëndetësore dhe nevojave humanitare që vijnë prej saj, forcimin e sistemeve të shëndetësisë, ujit dhe kanalizimeve të vendeve partnere, si dhe kapaciteteve të tyre kërkimore dhe të gatishmërisë për t’u marrë me pandeminë, si dhe për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik. Për të mbështetur këto veprime, BE-ja do t’ju sigurojë vendeve partnere mbështetje financiare që arrin në më shumë se 15.6 miliardë Euro nga burimet ekzistuese të veprimit të jashtëm.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komentoi: “Virusi nuk njeh kufij. Kjo sfidë globale ka nevojë për bashkëpunim të fortë ndërkombëtar. Bashkimi Evropian po punon pa u lodhur për ta luftuar pandeminë. Të gjithë e dimë se vetëm së bashku mund ta ndalojmë përhapjen e koronavirusit në mbarë botën”. Përfaqësuesi i Lartë / Zëvendëspresidenti Josep Borrell, shtoi: “Pandemia e koronavirusit kërkon reagim me veprime të përbashkëta dhe globale. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e tij Anëtare po luajnë rolin e tyre për trajtimin e kësaj krize shëndetësore dhe pasojave të saj të rënda – brenda dhe jashtë kufijve”.

Ekipi i Evropës

Reagimi i BE-së pason qasjen “Ekipi i Evropës”, që synon të shpëtojë jetë duke siguruar një mbështetje të shpejtë dhe të synuar për partnerët tanë për t’u përballur me këtë pandemi. Ai kombinon burime nga BE-ja, Shtetet e saj Anëtare dhe institucionet financiare, veçanërisht Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Paketat e para të Ekipit të Evropës tashmë po zbatohen në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e afërta fqinjë.

Shpërndarja në praktikë e paketës së BE-së për reagimin global:

502 milionë Euro për veprimet e reagimit ndaj emergjencës të përqendruara ndër të tjera në ofrimin e ndihmës së menjëhershme humanitare në vendet e prekura dhe rritjen e prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes personale dhe pajisjeve mjekësore në Evropë. 2.8 miliardë Euro për të mbështetur sistemet e kërkimit, shëndetësisë dhe ujit, BE-ja, ndër të tjera, po i mbështet vendet partnere për ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme dhe reaguese të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, si dhe mbështetjen e kërkimit për diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin. 12.28 miliardë Euro për të trajtuar pasojat ekonomike dhe sociale.

Paketa e Ekipit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë

Në Ballkanin Perëndimor, BE-ja ka mobilizuar ndërkaq fonde të konsiderueshme për mbështetje të menjëhershme të sektorit të shëndetësisë që arrijnë në 38 milionë Euro. Për më tepër, mbi 374 milionë Euro janë rialokuar për t’i ndihmuar partnerët të zbusin ndikimin socio-ekonomik të pandemisë. Kjo do të ndihmojë për të trajtuar ndikimin socio-ekonomik të epidemisë, në veçanti për bizneset më të prekura, përfshirë kompanitë që punojnë në sektorët e turizmit dhe transportit. 290 milion Euro shtesë do të ndihmojnë gjithashtu për rimëkëmbjen socio-ekonomike të të gjithë rajonit. Po ashtu, prokurimi i infrastrukturës dhe pajisjeve shëndetësore në shkallë të vogël pritet të fillojë për 90 milionë Euro në Turqi. Në total, BE-ja do t’i mbështesë me 800 milionë Euro partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të përballuar koronavirusin.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, tha: “Si pjesë e reagimit tonë global ndaj pandemisë së koronavirusit ne po ridrejtojmë mbi 3.8 miliardë Euro fonde të parashikuara për Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët tanë të afërt në Lindje dhe në Jug, atje ku nevojat e tyre reale janë sot: për reagim urgjent ndaj krizës shëndetësore, për forcimin e sistemeve shëndetësore dhe zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të pandemisë. Ne ndajmë të njëjtin kontinent dhe mund t’ia dalim mbanë vetëm së bashku”.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi: "Sot Komisioni Evropian iu përgjigj sfidave globale që ka sjellë epidemia e koronavirusit me një paketë reagimi shumë ambicioze prej më shumë se 15.6 miliardë Eurosh. Ndërsa Bashkimi Evropian po bën çmos për të mbështetur qytetarët e tij, është gjithashtu detyra jonë t’i ndihmojmë partnerët dhe miqtë tanë. Ndikimi në vendet më të brishta, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ka të ngjarë të jetë dramatik. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me autoritetet shqiptare për t’i përballuar këto sfida të përbashkëta”.

Në Shqipëri, 4 milionë Euro janë kontraktuar tashmë për furnizimin me pajisje mjekësore të shpëtimit të menjëhershëm të jetës. BE-ja ka krijuar partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit, në mënyrë që kjo mbështetje të sigurojë artikujt e nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur (ventilatorë, ambulanca, aparatura portative për ekzaminimin me rreze x, shtretër për Njësitë e Përkujdesjes Intensive, si dhe materiale mbrojtëse dhe dezinfektantë për punonjësit e kujdesit shëndetësor). BE-ja do të sigurojë gjithashtu 46.7 milionë Euro për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Vendet e Ballkanit Perëndimor i janë bashkuar nismave të BE-së, siç është Marrëveshja e Përbashkët e Prokurimit për pajisjet mjekësore dhe sistemi evropian i alarmit të shpejtë për sëmundjet ngjitëse. Vendet që negociojnë për pranimin e tyre mund të përfitojnë gjithashtu nga Fondi i Solidaritetit i BE-së. BE-ja ka mirëpritur gjithashtu vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor në Komitetin e Sigurisë Shëndetësore të BE-së. Gjithashtu, së shpejti Komisioni do të mobilizojë asistencë makro-financiare për Ballkanin Perëndimor dhe vendet fqinje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Për më shumë informacion

FileMemorandumi