Transmetuar më 23-05-2020, 21:24

Numri i rasteve të reja dhe vdekjeve nga Covid-19 vazhon të rritet, por me ritme më të ngadalta. Sipas ekspertëve, vala e madhe e infektimeve tashmë po shfaqet në vendet e lindjes dhe Amerikën Latine.

Së fundmi raportohet se numri i rasteve në mbarë botën ka shkuar në 5 milionë e 342 mijë, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 342 mijë. Edhe numri i pacientëve të shëruar është rritur duke shkuar në 2 milionë e 225 mijë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të lartë të rasteve dhe vdekjeve. Në SHBA në total janë 1 milion e 645 mijë të infektuar dhe 97 mijë e 647 të vdekur nga Covid-19. Ka ndryshuar renditja, ku Brazili ka kaluar në vendin e dytë. Rusia renditet e treta e pasuar nga Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca Amerika e Jugut po kthehet me shpejtësi në epiqendrën e re të koronavirusit pasi numrat e përditëshëm të infektimeve dhe vdekjeve atje, sa vjen e shtohen.

Brazili është deri tani më i godituri. Pas tij vjen Peruja, ku shifrat po lëvizin gjithashtu me shpejtësi shqetësuese dhe Kili, ku infektimet u trefishuan brenda një muaji. Ekuadori ka pasur edhe ai një shtim të rrufeshëm të rasteve.

Por edhe pse shumica e vendeve të rajonit kanë marrë masa izoluese në një formë apo një tjetër, zbatimi i tyre lë për të dëshiruar e në shumë raste, rregullat injorohen. Në Brazil, presidenti Bolsonaro i ka sfiduar shumë prej guvernatorëve të tij duke i nxitur t’i mbajnë qytetet hapur e duke argumentuar se rreziku që i kanoset ekonomisë, është më i madh se ai ndaj shëndetit publik. Edhe pse vetë është shfaqur me maskë këto javët e fundit, Bolsonaro refuzon t’i ndalojë tubimet masive të mbështetësve të vet, ku rregullat e distancimit fizik nuk janë zbatuar ndonjëherë. Kjo pavarësisht faktit se vendi ka arritur të shënojë më shumë se 10.000 infektime në ditë që nga fillimi i muajit, dhe shifrat vetëm sa rriten.

Ndërkaq nga Kina vijne lajme të mira. Për herë të parë, që kur filloi raportimi i të dhënave në muajin janar, Kina ka regjistuar zero raste të reja me koronavirus. Virusi u shfaq në qytetin Wuhan në fund të vitit të shkuar dhe që nga ajo kohë rastet kanë rënë ndjeshëm pas pikut të pandemisë në mes të shkurtit. Numri zyrtar i vdekjeve në Kinë është 4634, shumë më pak se numri i viktimave në vende shumë më të vogla. Lajmi për zero infektime vjen një ditë pas hapjes së Kongresit Popullor, në të cilin Kryeministri tha se vendi “ka arritur rezultate të rëndësishme strategjike në përgjigjen ndaj Covid-19”. Megjithatë, ai paralajmëroi se vendi ende përballet me sfida “të mëdha”.