Transmetuar më 31-05-2020, 13:09

Nga dita e nesërme nis faza e dytë e rihapjes duke filluar me çerdhet dhe kopshtet, ndërsa transporti publik ende do të qëndrojë jashtë funksionit.

Sa i përket qarkullimit të makinave dhe lëvizjes së këmbësorëve do të lejohen në të gjithë territorin, madje duke shkuar edhe nga një zonë në tjetrën.

Kufijtë – Hapen kufijtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dy javor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet evropiane. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet si masë në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve.

Plazhet – Nga data 1 Qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçante për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe.

Veprimtaritë sportive e kulturore – Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara.

Çfarë nuk lejohet gjatë fazës së dytë të rihapjes

Transporti publik – Do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, deri në një moment të pacaktuar.

Ndalohen kinematë, teatër, klubet, pishinat dhe dasmat – Po kështu do të vijojnë të jenë të ndaluara, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë dhe një thirrje për të mos patur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme.