Transmetuar më 01-06-2020, 18:03

Greqia sot njoftoi se ka vendosur të fusë në karantinë nga 7 deri 14 ditë, cilindo qytetar që futet në territorin e saj.

Ambasada greke dërgoi njoftimin e mëposhtëm ku vërehen masat drastike të saj në kuadrin e mbrojtjes nga COVID-19.

Ndërsa Shqipëria sot hapi kufijtë për të gjithë dhe pret vizitorë pa asnjë kusht karantinimi, Greqia shpalli tre faza, ku në të gjitha, shtetasve që hyjnë në tokë helene do tu merren tamponët.

Faza e parë. Deri më 15 qershor. Kufijtë tokësorë mbeten të mbyllur për qytetarë të vendeve të treta, me përjashtim të atyre nga vendet anëtare të BE dhe të Marrëveshjes Shengen. Fluturime ndërkombëtare lejohen vetëm drejt aeroportit të Athinës. Të gjithë ata që mbërrijnë, pa përjashtim, i nënshtrohen testit për COVID-19 dhe qëndrojnë për një natë në një hotel që u rekomandohet. Nëse testi rezulton pozitiv, atëhere vizitori i nënshtrohet karantinës 14 ditore, nën monitorimin e mjekëve.

Por, edhe nëse testi rezulton negativ, atëherë sërish ka karantinë sepse vizitori i nënshtrohet një vetëkarantinimi shtatëditor.

Faza e dytë. Nga 15 deri 30 qershor. Mbërritjet përmes kufijve tokësorë nga Shqipëria do të lejohen që prej datës 15 qershor dhe në vazhdim. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrollit të marrjes së kampionëve gjatë mbërritjes. Në njoftim nuk qartësohet nëse karantinimi do jetë edhe në këto raste. Kurse shtohet: Fluturime ndërkombëtare lejohen vetëm në drejtim të aeroporteve të Athinës dhe të Selanikut. Nëse vizitori vjen prej një aeroporti jashtë listës së vendeve të prekura, të Agjencisë Europiane të Sigurisë së Aeroporteve (EASA), atëhere do t’i nënshtrohet vetëm marrjes së kampionit gjatë mbërritjes. Nëse vizitori vjen prej një aeroporti që përfshihet në listën e vendeve të prekura, të hartuar prej Agjencisë Europiane të Sigurisë së Aeroporteve (EASA), atëherë i nënshtrohet testimit për COVID-19, gjatë mbërritjes së tij. Kërkohet qëndrimi për një natë në hotel. Nëse testi rezulton negativ, atëhere vizitori vetëizolohet për shtatë ditë. Nëse testi rezulton pozitiv, atëherë vizitori i nënshtrohet karantinimit 14 ditor nën monitorimin e mjekëve.

Faza e tretë. Nga 1 korriku e në vazhdim. Lejohen fluturimet ndërkombëtare në drejtim të të gjitha aeroporteve të Greqisë. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrollit të marrjes së kampionit në mbërritje. Mbërritje nga kufijtë detarë do të lejohen që prej 1 korrikut dhe në vazhdim. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrollit të marrjes së tamponit, në mbërritje.