Transmetuar më 06-06-2020, 01:51

Ish-ministri grek i Financave Janis Varufakis, thotë se, Evropa jeton në një demokraci të brishtë, ndërsa në Ballkan ajo është thuajse e dështuar. Varoufakis, i cili për disa muaj drejtoi grupin negociator të Greqisë më Trojkën Evropiane për borxhin, në intervistë me Euronews Albania thotë se, demokracitë në Ballkan kanë dështuar dhe se duhet shumë mund që populli të ketë mundësi të rifutet në demokraci.

Sipas tij, jo vetëm Ballkani por edhe shumë vende të tjera në Evropë jetojnë në “oligarki me zgjedhje”, pasi oligarkia kontrollon bankat, mediat, bizneset e mëdha dhe për këtë arsye populli e ka të vështirë të luajë rol në këtë sistem qeverisës.

Në disa nga vendet e Ballkanit, ka një dominim të theksuar të qëndrimit në pushtet të partive të mëdha tradicionale. (Siriza rrëzoi këtë dominim të dy partive të mëdha PASOK dhe Demokracia e Re në Greqi apo dhe VV në Kosovë, por që pati një jetëgjatësi të shkurtër). Përse duket i pamundur thyerja e këtij dominimi nga parti të tjera?

Sepse ne nuk jetojmë vërtetë në demokraci, por në oligarki, me zgjedhje. Dhe kur jeton në një oligarki që kontrollon bankat, mediat, bizneset e mëdha, atëherë është shumë e vështirë që demos (populli) të luajë një rol në demokracitë tona. Pra, kemi një dështim të demokracive në Evropë, veçanërisht në Ballkan dhe do të duhet shumë punë, përpjekje që demos (populli), të ketë mundësitë të rifutet në demokraci.

Varoufakis: Kriza e COVID-19 ka ndarë botën e parasë nga bota e njerëzve të thjeshtë 

Varoufakis po ashtu flet dhe për krizën pas pandemisë dhe rekomandon si mund të rimëkëmbet ekonomia. Akademiku i njohur, thotë se, kriza që po bota po kalon ndaj COVID-19 “nuk duhet parë si e ndarë nga ajo që ka ndodhur në vitin 2008”, duke theksuar se “po ndahet bota e parasë, nga bota e njerëzve të thjeshtë”.

Drejtues të organizatave të rëndësishme financiare kanë dhënë alarmin për një krizë të rëndë ekonomike edhe më e rëndë se krizat e mëparshme depresioni i 1929 apo dhe kriza financiare e 2008. Me çfarë realisht do të përballet globi?

Si fillim, unë besoj se ne nuk duhet ta mendojmë atë që po ndodh sot të shkëputur nga ajo që ndodhi në 2008. Në 2008 ishte përsëritja e krizës së 1929, për gjeneratën tonë, kur Wall Street pësoi kolaps, dhe pas asaj Bankat Qendrore dhe qeveritë rimbushen bankat, sektorin financiar dhe biznesin e madh, por nuk krijuan investime të mjaftueshme në punën dhe jetën e shumicës.

Prandaj kur filloi pandemia e COVID-19 dhe në patëm një tjetër recesion të madh, të cilin po e përjetojmë tani, kjo e gjeti ekonominë botërore dhe evropiane në një situatë shumë të dobët, duke ndarë qartë botën e parasë nga bota e njerëzve të thjeshtë. Pra po kalojmë një recesion të madh, të cilin mund ta kalojmë, nëse qeveritë dhe Bankat Qendrore, nuk përsërisin të njëjtat gabime, për sa kohë ato investojnë fort tek njerëzit, në shëndetin publik dhe në të mirën publike dhe në punët që mbrojnë ekosistemin (green jobs) për të cilat kemi nevojë ëepër botë.

Cilët janë instrumentet kryesore për rimëkëmbjen e ekonomive? Çfarë duhet të bëjnë qeveritë?

Mund të shihni që ashtu si në 2008, së fundmi Bankat Qendrore kanë printuar shumë para, por është praktike e tyre që t’ua japin ato para, bankave tregtare, të cilat vërtetë nuk kanë kapacitetet qe t’i përcjellin ato në investime të vërteta. Kështu ajo që duhet të bëjmë që të ekuilibrojmë këtë ekuacion, është që qeveritë të koordinohen me njëra-tjetrën, për një politikë investimi, një plan investimi të gjelbër në shkallë të gjerë, për të gjithë Evropën. Patjetër, do ishte mirë për të gjithë botën, por le të fillojmë këtu nga Evropa.