Transmetuar më 28-06-2020, 16:07

Inida Gjata e njohur për publikun shqiptar ndryshe si  Zhaku, shpesh pjesë e mediave dhe portaleve për reagimet dhe mendimet e saj të drejtpërdrejta, jeton prej disa vitesh në Gjermani, ku edhe u martua me një shtetas gjerman dhe së fundmi mësohet se është ndarë prej tij.

Ndërkohë,  Zhaku ka deklaruar se do të rikthehet në Tiranë dhe do t’i hyjë politikës.

Para një muaji, ajo deklaroi se do të krijojë një parti të re politike, të cilën do ta emërtojë “Partia për Zhvillim Kombëtar”.

Ngritjen e një force të re politike, Zhaku e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ku bënte thirrje për mbledhjen e firmave për ta regjistruar në Gjykatë.

“Miq, a jeni gati të mbledhim bashkërisht të paktën 3000 firma votuesish për të regjistruar lëvizjen tonë politike në Gjykatë? Nëse jeni të gatshëm, duhet si më poshtë: Kërkesë për regjistrimin e Partisë për Zhvillimin Kombëtar dhe emër, mbiemër, numri personal, vendbanimi dhe firma. Mund të mblidhni lirisht sa të doni dhe do të jemi në kontakt të vazhdueshëm bashkë për çdo informacion dhe detaj. Bashkimi bën fuqinë!“, shkruan ajo në postimin e saj në “Facebook”.

Në lidhje me këtë hap, Inida edhe për Adi Krastën në “A-Show”, pohoi se do të kthehet në Shqipëri për të themeluar një parti.

Ajo tha se do t’i futet politikës, nisur edhe nga situata e fundit ku Edi Rama e ka çuar Shqipërinë, të cilën e krahason me një makinë të aksidentuar dhe me njerëz, të cilët po japin gjak e që duhet dikush t’i çojë për mjekim në spital.

“Kam vendosur të kthehem në Shqipëri. Po angazhohem politikisht. Po themeloj një parti. Qëllim kam zhvillimin kombëtar, por është një parti liberale me synim zhvillimin e tregut të lirë”, u shpreh Inida Gjata.

Ky zhvillim i fundit vjen, pasi këngëtarja dhe prezantuesja e njohur, Inida Gjata, ose siç njihet ndryshe Zhaku, u martua para shtatë vitesh me të dashurin e saj gjerman, Christian Kreuz, emri i artit i të cilit është Dakar.

Këtë lajm e konfirmoi vetë Zhaku nëpërmjet ndërrimit të statusit në “Facebook” dhe publikimit të një fotoje ku shfaqet me buqetë lulesh.

“E kujt ia merrte mendja që pas 14 vitesh që rashë në dashuri me këtë këngë, do bëhesha gruja e Dakarit. Kur isha 17 vjeç dhe bëja ‘Hit Parade’ tek ‘Alba TV’, kjo kënga ishte në Top 5”, citohet të jetë shprehur Inida për këngën “Stay ëith me”, Dakar and Grinser, në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

Por ajo ndryshoi kohët e fundit statusin e saj, duke e bërë publik sërish në rrjetet sociale. Ndonëse nga ‘Married’ pas divorcit në ‘Single’, Zhaku vazhdon të mbajë të njëjtin mbiemër të bashkëshortit, Kreuz, dhe jo Gjata.

Ndërkohë Zhaku po merret aktualisht me projektin e saj të nisjes së karrierës politike në vendin tonë.

/NOA.al