Transmetuar më 30-07-2020, 09:58

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, jep informacion lidhur me faljen e Kurban Bajramit, e cila përkon ditën e nesërme.

Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, KMSH bën me dije se namazi i Kurban Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.

Ceremonia qendore e Kurban Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri) Tiranë. Në orën 06:30 do të bëhet falja e Namazit dhe në 06:35 do të mbahet Hytbeja e Kurban Bajramit, nga kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu.

Luten të gjithë besimtarët të respektojnë masat e mëposhtme të sigurisë; Marrja e abdesit të kryhet në shtëpi; Të mbahet maska nga çdo besimtar; Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale; Mbajtja e distancës fizike gjatë faljes; Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve; Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami; Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup si dhe të shfrytëzohen materialet dezinfektuese në hyrje të cdo xhamie.

Gjithashtu urdhërohen të gjitha myftinitë që të marrin masat e nevojshme të sigurisë për faljen e namazit të Kurban Bajramit nëpër xhami duke respektuar të njëjtin protokoll.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë shqiptarëve. /a.y/noa.al