Transmetuar më 03-08-2020, 16:00
Eugert Lazaj

Eugert Lazaj, biznesmeni 37 vjeçar që u gjet pa jetë në vilën e tij në Farkë kishte urdhër dëbimi nga Shqipëria, që më 17 janar 2019.

Shkak është bërë përfundimi i afatit të lejes së përkohshme që autoritet shqiptare kishin lëshuar për të. Lazaj kishte paditur institucionet për lejen, ndërsa mësohet se atij iu refuzua leja për shkak të informacioneve se bënte pastrim parash.

Eugert Lazaj pak ditë më parë u gjet i vetvrarë në banesën e tij në një kompleks luksoz në periferi të Tiranës. Pronari i "Adorions Palace", kompleksit luksoz në Maminas, rezulton se në vitin 2004 ka lënë shtetësinë shqiptare pasi ishte pajisur me nënshtetësi gjermane, ku jetonte dhe punonte prej shumë vitesh së bashku me familjen e tij.

Kësisoj, 37 vjeçari Lazaj do të kthehej në Shqipëri dhe do të kërkonte nga autoritetet shqiptare të pajisej me leje qëndrimi në vendin e lindjes.

Kjo kërkesë do të miratohej nga ana e instancave përkatëse që do të pajisnin me leje qëndrimi të përkohshme Lazajn, leje kjo që do të përfundonte më 17 janar 2019. Nga ky moment 37 vjeçari do duhej të largohej nga Shqipëria pasi ndaj tij do lëshohej një urdhër dëbimi për shkak të skadencës së afatit ligjor të lejes së qëndrimit.

Në banesën e Eugert Lazaj u gjet edhe arma e zjarrit me të cilën 37 vjeçari dyshohet se i dha fund jetës.

/NOA.al