Transmetuar më 06-08-2020, 10:15

Presidenti Ilir Meta publikon një pjesë nga një letër që shkrimtari Ismail Kadare i dërgoi në vitin 2002 mbretëreshës Geraldinë, me rastin e ditëlindjes së saj.

“Ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime…ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”, citohet në pasazh.

Meta shton se zgjodhi këtë pasazh nga letra e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, dërguar Mbretëreshës Geraldinë në 12 mars 2002, për të përkujtuar sot 105-vjetorin e lindjes së saj.

Sipas tij, është një nga përkufizimet më të arrira për të gjithë trashëgiminë e vyer që na la “Trëndafili ynë i bardhë”.

“Një jetë dedikuar Shqipërisë, begatisë, përparimit dhe europianizimit të plotë të saj, shembull i dashurisë e besnikërisë së përjetshme për Atdheun edhe kur ai i ktheu shpinën, vepra e Mbretëreshës Geraldinë vazhdon ende të frymëzojë e të na bëjë krenarë të gjithëve”, shkruan kreu i shtetit. /a.y/noa.al