Transmetuar më 11-11-2020, 17:56

Kryeministri Edi Rama emëroi sot zv/ ministër të Ekonomisë dhe Financave ekspertin e fushës së ekonomisë për PD-në, Besart Kadia, madje edhe këshilltar i Bashës deri pak muaj më parë.

Eksperti i njohur i Partisë Demokratike për ekonominë, gjithashtu pedagog në një universitet privat, u shpreh se ofertën e kreut të qeverisë e pranoi, pasi qëllimi i tij është të kontribuojë për Shqipërinë.

Tashmë që ai iu bashkua ekipit të Edi Ramës, “i uroj suksese Bashës” tha Kadia në një intervistë për “Abc News”, ku edhe sqaroi arsyen pse vendosi t’i bashkohej qeverisë “Rama”.

Besart Kadia ka qenë ish-sekretar për sipërmarrjen e lirë në PD dhe këshilltar i Lulzim Bashës.

Përse e la opozitën 6 muaj para zgjedhjeve?

Mendoj që opozita kishte disa qartësi deri në 2017, më pas duket se është bërë e paqartë me politikat ekonomike.

Çfarë ju shtyu që të pranonit ofertën dhe kur iu bë?

Ideja është e sfidave të forta, tërmeti dhe pandemia, edhe unë si ekonomist që jam me shkollim perëndimor. Cdo kontribut personal për Shqipërinë.

Ofertën kush ua bëri?

Oferta ka qenë me kryeministrin.

Këto ditë keni diskutuar, apo më përpara?

Jo, vetëm nga sfida e covidit dhe nevoja për ta menaxhuar.

Takim, telefonatë …

Patjetër, që kryeministri është ai që merr vendimet për kabinetin e vet….

Çfarë përgjigje keni për ata që thonë se kaluat nga krahu opozitar te i shumicës?

Unë jam kthyer në Shqipëri pas studimeve në Angli për të kontribuar për cështjet ekonomike. Mendoj që opozita kishte disa qartësi deri në 2017, më pas duket se është bërë e paqartë me politikat ekonomike. Sfidat janë të menaxhimit të borxhit, rënia ekonomike për shkak të krizës dhe për të dalë sa më të zhvilluar pas kësaj krize.

A keni një përgjigje për ata që mendojnë se 6 muaj para zgjedhjeve kaluat me shumicën, pasi nuk iu fut Basha në listë?

Aspak! Bashës i uroj sukses edhe partisë Demokratike. Nuk është vendimi im personal që vendos fatet e Shqipërisë.

Çfarë përgjigje keni për ata që e shikojnë këtë lëvizje si fillimin e një bashkëqeverisjes mes PS-PD?

Unë i kontribuoj shtetit shqiptar, nuk ka rëndësi nëse është e majta apo e djathta, idetë e mia janë pro tregut dhe biznesit.

Sfida juaj më e madhe?

Ka të bëjë me reformat pro biznes.

/a.m/NOA.al