Hiqet shtatorja e Adem Jasharit nga Prizreni, vjen reagimi i parë zyrtar: Askush s’mund të përdhosë figurat e historisë sonë
Transmetuar më 30-11-2020, 19:15

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Halil Matoshi është përfshirë në debatin për shtatorët e Gjergj Kastriotit Skënderbeut e Adem Jasharit të vendosura më 28 nëntor në qytetin e Prizrenit.

Pas vendimit për largimin e shtatores së Adem Jasharit nga Prizreni, Matoshi tha se kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, duhej  të shpallte konkurs publik për shtatoren e Adem Jasharit.

Këto komente Matoshi i ka bërë në profilin e tij në Facebook, ku ka shpërndarë lajmin për largimin e shtatores.

Në komentin e tij me një “shok” të tij në Facebook, Matoshi ka theksuar se kryetrimi duke iu referuar Adem Jasharit nuk është punë e privatit por e shtetit

“Haskuka duhet me shpallë konkurs publik për shtatoren e Ademit, duke i dhënë hapësirë publike në vend të respektuar, sepse Kryetrimi i Kosovës nuk është punë e privatit por e shtetit!”, tha Matoshi.

Një tjetër komentuar ka replikuar ndaj Matoshit duke thënë se “Shtatorja e Ademit u vendos në një qendër tregtare nga vet kompania që e menaxhon qendrën”.

Zëvendëskryeministri i Kulturës tha se një veprim i tillë është marrë pa të drejtë. Sipas tij me këtë i bie që “kujt ti teket mundet të përdhosë figurat e historisë sonë”.

Matoshi, kritika ka pasur edhe për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

“Po, por nuk e ka këtë të drejtë, pa komision vlerësues profesionist, pa bashkëpunim me instancat e shtetit, pa kritere…dmth kujt t’i teket mundet me përdhosë figurat e historisë sonë, a po? Ajo megjithatë është hapësirë private por nuk mundet aty të tallet askush, e sidomos figurat që lidhen me lirinë! Kuvendi Komunal e ka vendosë në hapësirë publike të padenjë Gjergj Kastriotin dhe njashtu, një kinse-vepër arti!? Dhe nuk ka vendosë Drejtoria e Kulturës por ajo e administratës publike!???”, ka thënë Matoshi.

Vendosja e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Adem Jasharit, dy figurave që lidhen me lirinë e popullit në qytetin e Prizrenit, më 28 nëntor ka krijuar zhurmë. Kritikët e artit, historisë e urbanistikës i kanë cilësuar si jo të denja shtatoret, madje i anë cilësuar si fyese.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka njoftuar sot se kanë porositur një tjetër shtatore të komandantit, Adem Jashari./a.m/NOA.al