Transmetuar më 30-01-2021, 10:47

Z. Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri në këtë intervistë për revistën Bankieri flet për bankat dhe pandeminë, sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes

Si ndikoi pandemia e COVID-19 në veprimtarinë dhe rezultatet respektive të bankës suaj, gjatë vitit 2020?

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në Shqipëri, fokusi ynë kryesor ishte sigurimi i kushteve të sigurta të punës për punonjësit tanë, duke ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme për klientët, sipas rregullave dhe protokolleve që duheshin zbatuar. Kështu, brenda muajit mars siguruam që funksionet kryesore të bankës të ofroheshin në distancë. Nga ana tjetër, degët tona rregulluan oraret e punës, sipas kufizimeve të qeverisë, ndërsa u ofronin klientëve tanë kanale digjitale (tërheqje apo depozitime parash nga ATM-të, shërbime nga Raiffeisen ON, call center, etj.), për të përfunduar transaksionet e tyre rutinë.

Raiffeisen Bank, si të gjitha bankat në treg gjatë mbylljes, pësoi një rënie të dukshme në numrin dhe vëllimin e transaksioneve, por situata u normalizua ngadalë gjatë periudhës qershor – korrik. Pandemia nxiti një rritje të konsiderueshme të numrit të transaksioneve nga ATM-të, POS-et, RON, aplikacionet mobile të mundësuara nga ky variacion kanalesh, të cilat vijuan të rriten në muajt në vazhdim, duke provuar edhe një herë profilin e fuqishëm novator të Raiffeisen Bank në mbështetjen e digjitalizimit të shërbimeve bankare. Si huat konsumatore, ashtu edhe ato hipotekare, të shoqëruara me fushata marketingu, që prezantonin procese më të shpejta dhe të zhdërvjellëta për grupe specifike të klientëve, po arrijnë nivelin e 50% të vëllimeve të reja, të planifikuara fillimisht për vitin 2020. Bankat ishin aktive në pranimin e aplikimeve për ristrukturimin e huave të ndikuara nga pandemia, ku raporti mesatar i aplikimeve të pranuara ishte mbi 90%. Si të gjitha bankat në treg, edhe banka jonë u ndikua nga moratoriumi. Si rezultat, për vitin 2020, fitimi i bankës pritet të bjerë kundrejt një viti më parë dhe kundrejt parashikimit fillestar në buxhet.

Portofoli i huave për korporatat, nga ana tjetër, provoi se kishte një cilësi të qëndrueshme. Ne arritëm të sigurojmë financimin e nevojshëm për klientët tanë, pavarësisht rënies ekonomike në Shqipëri dhe kritereve më të kujdesshme për huadhënie. Raiffeisen Bank, si një nga aktorët kryesorë të tregut, kishte një pjesë të konsiderueshme në garancitë sovrane 1 dhe 2, të ofruara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Kështu, ne e përdorëm këtë mundësi në mënyrë aktive, për të financuar klientët tanë, duke mbështetur nevojat e tyre të menjëhershme për likuiditet dhe veprimtarinë e tyre në të ardhmen. Ndikimi real i pandemisë Covid-19 në bizneset vendase dhe huadhënien ndaj klientëve, lidhur me ecurinë e huas dhe huat me probleme, pritet të duken në tremujorin e parë të vitit 2021. Sidoqoftë, Raiffeisen Bank po ruan një qasje konservatore ndaj provizionimit, duke u mbështeturnë faktorët makroekonomikë dhe në industritë më të prekura.

Si ndikoi pandemia e COVID-19 në veprimtarinë dhe rezultatet respektive të bankës suaj, gjatë vitit 2020?

Pandemia e gjeti sektorin bankar në një gjendje të mirë financiare dhe mjaft të shëndetshme, për ta përballuar atë. Sektori bankar mbeti i shëndetshëm me raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe raportin e likuiditetit në nivele konsiderueshëm mbi kërkesat rregullatore. Kthimi nga kapitali i vet (RoE) mbeti në territor dyshifror (13.45%), megjithëse mjedisi me norma të ulëta interesi vazhdon të ushtrojë trysni mbi të ardhurat neto nga interesi për bankat. Në fund të shtatorit 2020, një muaj pas përfundimit të moratoriumit, niveli i huave me probleme ndaj totalit të huave qëndroi në 8.4%, duke treguar një nivel relativisht të mirë të cilësisë. Sidoqoftë, jemi në fazat fillestare të pasojave të pandemisë dhe vitin në vijim do të jemi në gjendje të vlerësojmë efektet e plota të saj. Pavarësisht nga ristrukturimet, për shkak të pasigurisë së shkaktuar nga pandemia, bankat presin të përballen me rënie të cilësisë së huave dhe rritje të provizioneve për rrezikun e kredisë. Pavarësisht njohjes së këtyre provizioneve në mënyrë aktive, efekti i rritjes së tyre në rezultatin e bankave pritet të shtrihet përgjatë vitit 2021.

Nga këndvështrimi personal, reformat e ndërmarra nga të gjithë aktorët për të forcuar cilësinë e huave dhe për të përmirësuar klimën e biznesit kanë pasur ndikim të madh në përballimin e kësaj situate. Nëse pandemia do ta kishte gjetur sektorin bankar me një raport të lartë të huave me probleme dhe pengesa të tjera për biznesin, situata mund të ishte edhe më sfiduese.

Si mendoni se do të zhvillohet veprimtaria bankare në të ardhmen e afërt dhe të largët?

Modeli i bankës së të ardhmes po merr formë edhe në Shqipëri. Tregu, gjithnjë e më shumë, po përqendrohet te inovacioni dhe degët e bankës po transformohen me një qasje të re tregtare, duke u përqendruar më shumë në veprimtari me vlerë të shtuar të lartë.

Tani, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj më në detaje, unë do ta ndaja atë në dy pjesë. Në periudhën afatmesme, ndryshimet teknologjike do të transformojnë proceset e brendshme aktuale të bankave. Ekziston një grup i tërë i organizimit të njerëzve dhe proceseve brenda një banke që do të ndikohet, duke çuar në transformimin e linjave të biznesit, kanaleve dhe produkteve, për të shkuar drejt një rritjeje më të madhe. Për më tepër, banka do të riorganizojë investimet e saj, sipas prioriteteve, për të përmirësuar përfitueshmërinë dhe kohën e daljes në treg. Transformimi digjital do ta zhvendosë punën në kanale me kosto më të ulët dhe zhvillimi i automatizimit do të zvogëlojë kostot e përpunimit. Një tjetër element i transformimit do të jetë riorganizimi i planeve ekzistuese të investimeve për t’u përshtatur më mirë me nevojat digjitale dhe të biznesit të bankës, që gjithashtu, do të përshpejtojë kohën e daljes në treg, përmes partneriteteve të ndryshme teknologjike. Për të pasur një ide të transformimit që po ndodh tani në rang global, rreth 1 miliard përdorues përdorën një aplikacion për pagesat përmes telefonit celular në vitin 2020 dhe mbi 50% e Brezit Z, tashmë, përdorin portofole digjitale. Pagesat me pará në dorë, në rang global, kanë rënë nga 30% në 2018-ën në pak më shumë se 20% në 2020-ën. Pagesat nëpërmjet kartave të debitit dhe kreditit janë ende në rritje, por me një normë mjaft më të ulët sesa rritja e pagesave  nëpërmjet celularit.

Pjesa e dytë e përgjigjes sime përqendrohet në transformimin afatgjatë të sektorit bankar. Fjala kyçe këtu është “të dhënat”. Në raundin tjetër të shpërthimit digjital mundësia vjen nga krijimi i vlerës nga të dhënat. Bankat që iu shërbejnë klientëve me pakicë (individëve) e kanë potencialin në të dhënat e përdoruesve që tashmë i zotërojnë. Mësimi se si duhen interpretuar këto zakone të tyre përbën një nga çelësat për të çliruar fuqinë dhe vlerën e të dhënave, duke mundësuar ofrimin e produkteve të personalizuara. Ky është revolucioni që unë parashikoj se do të transformojë në mënyrë drastike peizazhin bankar në të ardhmen.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Raiffeisen Bank po përqafon sfidën e transformimit digjital dhe është gati të jetë një lojtar i rëndësishëm në këtë fushë të re, të hapur nga ndryshimet teknologjike dhe rregullat e reja. Një demonstrim i kësaj janë nismat e shumta të bashkëpunimit me startup-et dhe Fintech-sat. Tani jemi në një fazë të konsoliduar të bashkëpunimit tonë të frytshëm dhe novator, që rrjedh nga shumë programe, të tilla: si Innovation Lab dhe Elevator Ventures. Ky angazhim për ndryshime novatore është vlerësuar edhe nga klientët tanë. Kështu, nuk është për t’u habitur që Raiffeisen është zgjedhur si banka më novatore në Shqipëri, sipas sondazheve të kënaqësisë së klientëve tanë. Ne do vazhdojmë të hulumtojmë kufijtë e teknologjisë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të jemi banka më e rekomanduar në vend.