Transmetuar më 06-03-2021, 16:48

Në vendlindjen e tij, Pejë, iu dha sot lamtumira e fundit kitaristit të bendit Purgatory, Valton Berisha.

Nga Zvicra kishin ardhur edhe shumë miq të tij dhe së bashku me familjarët vunë mbi varr një kurorë në formë kitare.

Tingujt e kitarës së tij do jehojnë përherë mes artdashësve dhe kudo që festohet me hare e gëzim, sepse e tillë ishte mënyra e të jetuarit të tij.

Valton Berisha ka ndërruar jetë dy javë më parë në SHBA. Sot ai është varrosur në vendlindjen e tij në Kliçinë.

Valton Berisha la pas vetes gruan dhe djalin e vajzën, të cilët sot i dhanë lamtumirën e fundit duke vënë lule e kurora mbi varrin e tij dhe në mënyrë simbolike lëshuan të lirë një pëllumb të bardhë.

Valtoni ishte njeri që mblidhte rreth vetës njerëz të mirë e me vullnet të mirë. Përveç anëtarëve të bendit të tij Enis Potoku, Driton Ajeti dhe Fatmir Gashi, për t’i dhënë lamtumirë Valtonit kishin ardhur edhe shumë shokë e miq, ndonëse jetojmë në një kohë pandemie./a.m/NOA.al