Transmetuar më 25-03-2021, 11:17

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas zgjedhjes në krye të qeverisë i ka dërguar një letër urimi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Erdogan uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërkohë që i bëri thirrje që ta rishikojë çështjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael, edhe pse ajo është hapur para pak ditëve në Jerusalem.

“Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar së është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Me këtë rast, përsëris urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj, si dhe prosperitetin dhe mirëqenien e popullit mik dhe vëlla të Kosovës” – shkruhet në letër.

Lideri turk në këtë letër urimi drejtuar Kurtit e ka përmendur edhe përfshirjen e Partisë Demokratike Turke të Kosovës në qeveri,e  cila ka fituar dy mandatet e rezervuara për komunitetin turk, duke e cilësuar si treguar që Kurti i kushton vëmendje prioritetit turk.

“Përfshirjen e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP)në qeverinë tuaj, e cila fitoi dy vendet e ndara për Komunitetin Turk të Kosovës në Parlament, e konsideroj si një tregues që ju do t’i kushtoni vëmendje prioriteteve dhe pritjeve të komunitetit turk. Turqia, si gjithmonë, edhe ne periudhën e ardhshme, do të jetë në solidaritet në çdo fushë me popullin vëlla të Kosovës”, i ka shkruar Kurtit në letrën e urimit Erdogan./a.m/NOA.al