Vjosa Osmanit flet si Presidente e Kosovës, fjalët e para
Transmetuar më 04-04-2021, 20:43

Vjosa Osmani u zgjodh mbrëmjen e sotme Presidente e Kosovës.

Prej sot, Vjosa Osmani është presidente e Kosovës dhe prej saj pritet të ketë rol unifikues në mesin e skenës së përçarë politike.

Teksa firmosi betimin si Presidente, Osmani tha se me tërë vullnetin e saj do të punojë në të mirë të Kosovës.

"Betohem se tërë fuqinë time do ja kushtoj ruajtjes së Pavarësisë së Kosovës, sigurimit të të drejtave qytetare, respektimit të ligjit dhe ruajtjes së paqes në vendin tonë.

Do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia me përgjegjëshmëri, BETOHEM.

Është nder i madh për mua t’ju drejtohem në cilësinë e Presidentes së sapozgjedhur të vendit tonë. Vullneti juaj qytetarë të nderuar, më veshi me shumë përgjegjësi. Dashuria për Kosovën, vendin tonë, ka qenë motivimi më i madh në jetën time politike.

Sot është dita e Kosovës, është dita juaj, vullneti juaj po plotësohet, dhe institucionet e vendit po konstitutohen plotësisht.

Sot po vulosim një ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë. Sot dëshmojmë edhe një herë se me urtësi e vendosmëri përmbushim çdo sfidë.

Sot Kosova zgjodhi edhe një herë një Presidente grua, të gjitha vajzat e vogla do ta mbajnë mend këtë moment.

Mos e ndalni hapin tuaj kurrë, çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet", tha Osmani.