Transmetuar më 07-05-2021, 09:29

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka kujtuar sot artisten e ndjerë Nexhmije Pagarusha në ditëlindjen e 88 të saj.

Përmes një postim në “Facebook” ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi shprehet se Pagarusha ka lënë si dhuratë të çmuar zërin e saj të mrekullueshëm.

“Do të donim të vinim sot në shtëpinë tënde me një tufë lule të të uronim: Edhe 100 vjet zonja Pagarusha!”

“Kishim shumë dëshirë të të kishim sa më gjatë midis nesh. Por ti u largove duke na lënë shumë trishtim, por njëkohësisht na le si dhuratë të çmuar zërin tënd të mrekullueshëm, na le shpirtin e madh të një artisteje të pavdekshme!”, ka shkruar ai krahas disa fotove, ku shfaqet diva e muzikës shqiptare.

Nexhmie Pagarusha u lind më 7 maj 1933. Ajo është cilësuar si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor dhe shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” etj.“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj që ruan elemente folklorik të këngës.

Nexhmie Pagarusha ka qenë edhe aktore në disa filma si “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”.

Nga viti 1984 vendos të përmbyllë karrierën si këngëtare. Më 2012, u dekorua me “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë.

Bilbili i muzikë shqiptare ndërroi jetë më 7 shkurt 2020. /S.H /NOA.al