Ndërron jetë një foshnje, vihet në pranga mjeku në Kosovë
Transmetuar më 22-05-2021, 18:21

Një foshnje ka humbur jetën në Gjilan të Kosovës dhe dyshimet janë të forta se kemi të bëjmë me trajtim të gabuar nga spitali.

Policia në Gjilan njoftoi sot se ka arrestuar një mjek pasi akuzohet për trajtim mjekësor të gabuar ndaj nënës së foshnjes, D.Th.

Sipas prokurorisë, ka dyshime që mjeku V.Th., nuk i ka përdorur metodat e përshtatshme të mjekimit pas lindjes. Si pasojë e kësaj, foshnja ka vdekur.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.TH., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, më 21 Maj 2021, i pandehuri V.TH., në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ka trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme mjekësore të dëmtuarën D.TH., në atë mënyrë që me rastin e lindjes së saj, duke përdorur metodat e papërshtatshme të mjekimit, pas lindjes, për një kohë të shkurtë është konstatuar se fëmija është pa shenja jete.

Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i fëmiut është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa i pandehuri V.TH., gjendet në ndalim 48 orësh”./noa.al/