Transmetuar më 12-07-2021, 18:45

Varianti “Delta” i ka të gjitha gjasat të ketë hyrë Shqipëri për sa kohë në vendet fqinjë ai qarkullon dhe në Shqipëri nuk ka asnjë kontroll në pikat kufitare për test anti-covid.

Shefja e Epidemiologjise në ISHP Silva Bino paralajmëron se nëse do të konfirmohen rastet me Delta, masat do të rishikohen duke rikthyer kufizimet e mëparshme.

“Nëse do të kemi raste me Delta natyrisht që do të ketë rishikim të masave. Nëse do të vërejmë madje edhe rritje të numrave të rasteve apo grumbullimeve natyrisht masat do të rishikohen.

Imuniteti natyror nuk është i mjaftueshëm, duhet vaksinimi i plotë me të dyja dozat është ai që të mbron nga të gjitha variantet”, tha Bino.

Delta është një variant dominant kudo ku ai ka hyrë. Qendra e kontrollit të sëmundjeve infektive ka paralajmëruar se në 1 Gusht në 70% të territorit të botës do të qarkullojë ky variant.

Në këto kushte, ekspertët i sugjerojnë qeverisë që teknologjia që mundëson sekuencimin e vazhdueshëm genetik të mundësohet sa më parë në Shqipëri dhe jo të presim për cdo variant konfirmimet nga laboratorët e botës.

Për sa kohë laboratorët tanë nuk bëjnë dot sekuencimin gjenetik të virusit, atëherë sipas akademikut Ilir Alimehmeti, dy janë treguesit që po monitorohen për të kuptuar situatën: rastet e reja dhe ato të rënda në spital.