Transmetuar më 26-07-2021, 13:05

Kapiteni i ekipit kombëtar të futbollit të Argjentinës, Lionel Messi, publikoi në Instagram një video “hot” nga pishina, ku po relaksohet me gruan e tij, Antonella Roccuzzo. Çifti i njohur shihet duke ndarë momente romantike nën ujë.

Nuk mungojnë përqafimet dhe puthjet, diçka jo fort e zakontë për ta në qasjet me publikun. Megjithatë, duket qartë se futbollisti i shkëlqyer, gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë”, po kalon një periudhë mjaft të lumtur.

Me siguri këtu ka ndikuar edhe fitimi i “Copa America”, kompeticionit madhor që i mungonte në “palmares” yllit argjentinas. Te dera është Botërori i Katarit, ku 34-vjeçari do të synojë edhe “qershinë mbi tortë”, të fitojë atë që i mungon në krahasim me legjendën tjetër argjentinase, Diego Maradona.

E kemi fjalën për Kupën e Botës. Ndërkohë, sa i takon së ardhmes, ai thuhet se ka arritur marrëveshje me Barcelonën. Kapitenin e pret rinovimi 5-vjeçar, me ulje rroge, sigurisht, në kushtet e krizës së madhe financiare të skuadrës blaugrana.

Në "Camp Nou" janë bërë përforcime të rëndësishme, sikurse kërkonte ai për të rinovuar. Mes të tjerësh aty ka mbërritur edhe miku i tij i ngushtë, bashkëlojtari tek Argjentina, Kun Aguero. Po kështu, sulmi katalanas është përforcuar nga Mempfis Depay, goleadori i njohur hollandez.