Muzika, kovidi, Bregoviçi dhe shtetrrethimi dhe mënyra si po u serviren shqiptarëve e po gëlltiten prej tyre, janë çudira dramatike nga Shqipëria!
Redaksionale NOA
Gushti i kësaj vere të dytë pandemike, po e gjen Shqipërinë në një valë të re shpërthimi të infeksioneve nga kovid-19. Rastet e reja ditore janë shumëfishuar dhe shtrimet në spitale po ashtu.
Qeveria ka lënë në fuqi kufizime që synojnë frenimin e pandemisë, duke ndaluar muzikën pas orës 23 dhe lëvizjen e njerëzve një orë më pas, si dhe kufizon grumbullimet me mbi 50 vetë në mjedise të hapura e të mbyllura.
Por është vetë shteti, i pari që nuk po respekton kufizimet që synojnë distancimin fizik e social. Bashkitë po organizojnë kudo koncerte që mbledhin qindra njerëz në sheshe, duke bërë që qytetarët të rriskojnë së tepërmi infektim masiv.
Panorama e zymtë që pasojat sipas ekspertëve, do t’i thellojë në shtator dhe më gjerë në vjeshtë, bëhet edhe më e trishtë, teksa ka nisur një proserbizim mediatik.
Nga njëra anë disa media pompojnë interesimin e shtuar të serbëve për të blerë prona në Shqipëri dhe nga ana tjetër, pushtetarët ftojnë Goran Bregoviçin të japë koncert në sheshin e Korçës më 22 gusht.
Bregoviç ishte frymëzues dhe idhull i ushtrisë vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë, sidomos me këngën “Kalashnikov”.
Megjithë thirrjet e shqiptarëve këndej dhe andej kufirit, që të dy, bashkia dhe këngëtari, shpërfillin kërkesën për anulimin e pjesëmarrjes së tij duke e kthyer këtë në një sfidë të rrezikshme pasi në rrjet janë ndezur thirrjet për trazira në koncert.
Të gjitha këto, muzika, kovidi, Bregoviçi dhe shtetrrethimi dhe mënyra si po u serviren shqiptarëve e po gëlltiten prej tyre, janë çudira dramatike nga Shqipëria!
Në fotot: Pamje të publikuara sot nga bashkia Sarandë të një koncerti zhvilluar mbrëmë në këtë qytet