Transmetuar më 28-09-2021, 19:00

Incident tek Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, një avion pëson avari dhe bën ulje të detyruar.

Ngjarja ndodhi sot në orën 16:15 të datës 28 Shtator 2021, raporton noa.al.

Një avion i vogël model Beechcraft me regjistrim zviceran HB-EFH, me 4 persona në bord, dy të rritur dhe dy fëmijë, të gjithë shtetas zviceranë, bëri ulje të detyruar në mes të pistës pasi pësoi një avari në sistemin e rrotave.

Avioni ishte nisur nga Venezia, me destinacion Tiranën.

Pasagjerëve u dha ndihma e parë. Noa.al raporton se nuk ka asnjë të lënduar dhe të katërt gëzojnë shëndet të plotë.

Pas lajmërimit të Organit Kombëtar të Investigimit të Incidenteve Ajrore dhe kryerjes së investigimit në zonën e pistës, avioni u zhvendos nga pista.

Avioni që u përfshi në Incident

Si pasojë, operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u pezulluan për 1 orë e 45 minuta.

Fluturimet rifilluan. /noa.al