Transmetuar më 12-10-2021, 17:54

"O Sali, o hero gjithë Shqipëria ty të do!" me këto thirrje u prit ish-lideri demokrat në Kukës.

Zoti Berisha u ndal sot në Kukës në kuadër të "Foltores për PD-në." Ai falenderoi qytetarët e Kukësit pasi kanë qëndruar të pamposhtur dhe të vendosur në krah të së drejtës. Nga Kukësi, zoti Berisha i bëri thirrje Edi Ramë të ndjekë Foltoren sepse është punë burrash dhe gra të lira dhe punë pengjesh.

Berisha: "Të dashur demokratë dhe demokrate të pranishëm në këtë foltore. Para së gjithash dua të përulem me nderimin më të madh para demokratëve dhe demokrateve të Kukësit, Hasit, Tropojës, qytetarëve të këtyre trevave të cilët sot dhe në histori kanë qëndruar si viganë në anën e drejtë të saj, kanë qëndruar të pamposhtur dhe janë më të vendosur se kurrë të rikthejnë fuqishëm PD si opozitë e pamposhtur e shqiptarëve. Ta kthejnë PD në parti të fitores së sigurt në Shqipëri. Në emër tuaj do t’i them zografit Bis, Edi Ramës ndiqe këtë Foltore, kjo është punë burrash dhe grash të lira dhe jo punë pengjesh."