Transmetuar më 15-10-2021, 22:29

Komisioni i Sigurisë po planifikon një tjetër amnesti për dorëzimin e armëve pa leje, duke synuar uljen e numrit të krimeve në vendin tonë.

Në vitin 2021 është shënuar një rritje e numrit të personave të arrestuar me armë pa leje, ndaj Sekretari i Komisionit Xhemal Qefalia u shpreh se gjarjet kriminale do të kenë një rënie nëse qytetarët që kanë armë do t’i dorëzojnë ato kundrejt amnistisë.

“Është një kërkesë e nevojshme, madje duhet thënë shumë e domosdoshme e cila duhet të kalojë patjetër në miratim dhe në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim që ende pasojat e ’97, ata individë të cilët disponojnë armatime nëpër shtëpi duhet të bëhet dhe një herë apel dhe thirrje për t’i dorëzuar aton. Në një farë mënyre bëhet edhe një farë ulje e kriminalitetit e cila për hir të së vërtetës ka pësuar një rritje kohët e fundit,” tha Qefalia në Ora News.

Në amnistinë e fundit në vitin 2007 u dorëzuan rreth 1604 armë të llojeve të ndryshme, ndërkohë që në 3 muajt e fundit në drejtorinë vendore të policisë janë sekuestruar përkatësisht 52 armë pa leje në Durrës, 46 në Shkodër dhe 32 në Tiranë.