Transmetuar më 16-10-2021, 19:03

Një përplasje e ashpër me armë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin jug-lindor të Adanasë në Turqi duke shkaktuar shqetësim në të gjithë vendin. Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për një përplasje të armatosur mes dy fiseve që udhëheqin qytetin, ndërsa pamjet i ngjajnë atyre të luftës në Siri ku civilë me automatikë në duar qëllojnë ndaj njeri-tjetrit.

Përplasja e armatosur ndodhi mes fisit “Cono” dhe një grupi tjetër në lidhje me kontrollin e aktiviteteve të paligjshme në qytet. Nuk ka ende raportime për viktima apo të plagosur, ndërsa është dashur ndërhyrja e forcave speciale të policisë dhe ushtrisë për të stabilizuar situatën. Pas ndërhyrjes, policia ka arrestuar 30 persona.

Vlen të thuhet se Turqia mbahet si e para në Europë për numrin e armëve në duart e civilëve, ku krahas pistoletave që janë një realitet i përditshëm në zonat lindore hasen edhe armët e gjata si pushkë dhe automatikë, të cilat përdoren shpesh në konfliktet mes fiseve duke shkaktuar një numër të madh të vdekurish çdo vit.