Transmetuar më 17-10-2021, 12:15

Dëshmia e punonjësve të hotelit mbetet kyç në ecurinë e hetimeve pë zbardhjen e rrethanave të vdekjes misterioze të turistëve rusë. Katër turistët, përkatësisht çifti Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe vajza e tyre, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe , u gjetën të pajetë nga recepsionistja.

E rëndësishme është dëshmia e punonjësit të pishinës, ku u gjetën trupat e pajetë të turistëve.

Ai është shprehur se turistët kishin kontaktuar hotelin dhe kishin kërkuar që të bëhej gati zona e SPA, që ata të shplodheshin, kur të ktheheshin nga vizita disa orëshe në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore, që do të japë detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë. Duhet theksuar se në Maqedoninë e veriut, së bashku me katër viktimat, kanë qenë dhe katër shtetas të tjerë, të cilët pritet të pyeten ditën e sotme, lidhur me bisedat që kanë bërë me viktimat. Ajo që është e paqartë për hetuesit është e kaluara e viktimave, pasi nuk dihet asgjë se çfarë përfaqësonin ata, me çfarë pune merreshin, nëse kanë pasur probleme në shtetin e tyre.

Një nga pistat është ajo e asfiksisë nga klori, por po shihet dhe teza e një helmimi të mundshëm. Ndërkohë, nuk është gjetur gjurmë e ndonjë substance narkotike apo alkooli, përveç një shishe birre të hapur, duke hedhur poshtë dyshimet për mbidozë, ndaj dhe dyshimet kryesore janë për asfiksi.

Në ndihmë të heteusve shqiptarë kanë mbërritur edhe ata rusë.