Transmetuar më 18-10-2021, 10:58

Vazhdon të flitet për lamtumirën e Lionel Messit me Barcelonën. Pak e prisnin këtë vendim, shoqëruar me nënshkrimin te PSG. Mes njerëzve, dhe në këtë rast lojtarët më të befasuar, ishte Cesc Fabregas i cili tregoi një sfond të veçantë lidhur me transferimin e “Pleshtit”.

Mesfushori spanjoll, mik i gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë”, tha në “Prime Video”: "Isha me pushime me Messin një javë para se të njoftohej lamtumira e tij. Ai më tha se ishte shumë afër nënshkrimit me Barcelonën, se javën tjetër do të rifillonte stërvitjen, – tha Fabregas. – Pesë ditë më vonë u mërzita shumë kur më tha se nuk do të ishte më e mundur dhe se klubi i kishte kërkuar të largohej".

Messi i tha lamtumirë Barcelonës për të kaluar në Ligue 1, te PSG: "Unë e di se Leo është shumë i lumtur tani. Në Paris ka shumë lojtarë që ai i njihte tashmë dhe që flasin spanjisht. Gjithashtu, unë jam i lumtur që mund ta sfidoj atë si kundërshtar me Monaco”.

Pak ditë më parë, vetë ylli argjentinas tha se e larguan, teksa ai vetë synonte ta mbyllte me Barcelonën:  "Nuk e prisja fare. Kisha në mendje të nënshkruaja kontratën dhe të rifilloja stërvitjen menjëherë. Mendova se gjithçka ishte rregulluar dhe se vetëm firma ime (në kontratë) mungonte.

Por, kur mbërrita në Barcelonë, ata më thanë se nuk ishte më e mundur, se nuk mund të qëndroja dhe se duhej të gjeja një klub tjetër, sepse Barça nuk kishte mjete financiare për të rinovuar me mua. Më ndryshuan planet. Ishte jashtëzakonisht e vështirë ta pranoja atë realitet; të mendoja se do të na duhej të largoheshim nga shtëpia dhe se familja do të duhej ta kthente përmbys rutinën e saj".