Transmetuar më 19-10-2021, 08:59

Ky është momenti i së vërtetës për Karim Benzema. Jo për “Topin e Artë”, ku është një nga kandidatët më të besueshëm, por nosmarrëveshjen që i plasi atij në vjeshtën e vitit 2015. Në fakt ishte një akuzë për bashkëpunim në përpjekjen zhvatëse ndaj ish-kolegut të ekipit kombëtar, Mathieu Valbuena.

Të gjitha akuzat kanë sfondin e videove kërcënuese dhe shantazhuese, me gjyqin përkatës që fillon të mërkurën në Versajë. Gjyqi, i mbiquajtur "sextape", do të zgjasë deri të premten dhe të pandehurit përballen me deri 5 vite burg.

Përfshirë edhe Benzema i cili, në vjeshtën e pesë viteve më parë, nga grumbullimi i “Clairefontaine” me kombëtaren, ra në kontakt me Valbuena. Aty u filmua një videoje, që përfundoi në duar të gabuara.

Një bashkëpunëtor i Valbuena, duke pasur probleme financiare, përpiloi një plan zhvatjeje ndaj ish-futbollistit transalpin, duke përfshirë edhe një mik të fëmijërisë së Benzema, Karim Zenati.

Pikërisht me kërkesën e Zenati, më 6 tetor 2015, ylli i Real Madridit i bëri një telefonatë ish-mesfushorit të Marseille për t’i ofruar "ndihmë", duke e vënë atë në kontakt me njerëzit e duhur, që videoja me “pullë të kuqe” të mos i publikohej.

Për hetuesit, ky ishte një akt bashkëpunimi në përpjekjen për ta zhvatur kolegun. Valbuena, i kontaktuar për herë të parë në qershor të të njëjtit vit, kishte raportuar gjithçka në polici, e cila përgjoi telefonatën e Benzema.

Dy javë më vonë filluan marrjet e para në pyetje. Edhe vetë sulmuesi i Real Madridit u thirr muajin tjetër në stacionin policor, sepse u vendos nën hetim. Më 11 të të njëjtit muaj, përgjimi i një telefonate tjetër, midis Benzema dhe shokut të tij Zenati, u publikua nga “L’Equipe”, çka shkaktoi “tërmet” në radhët e ekipit kombëtar. Dhe në fund të muajit, Valbuena publikisht drejtoi gishtin nga Benzema.