Transmetuar më 19-10-2021, 11:40

Tashmë ekzistojnë mjaft teori mbi vdekjen e familjes Burenkov në rezortin luksoz në Kavajë. Sergey Burenkov, 60 vjeç, dhe bashkëshortja Natalya Burenkova, 58 vjeç, ishin me pushime në Shqipëri, së bashku me vajzën e tyre Katia, 31 vjeçe, dhe partnerin e saj Nikita Belousov, kur u gjetën të vdekur në saunën e një hoteli në plazhin e Qerretit në Kavajë.

Ekaterina Burenkov, 31 vjeç, vajza e familjes punonte si menaxhere pronash në një agjenci imobiliare, kurse i fejuari i saj Nikita Belousov punonte në administratë publike. Mediat ruse shkruajnë se familja Burenkova ishte një nga familjet më të pasura ruse. Tashmë ka mbetur gjallë vetëm djali i familjes, Aleksandri, i cili është përfaqësues i një kompanie medicinale. Ai do të jetë personi që do të tërheqë edhe trupat e familjarëve të ndjerë.

Teksa hetimet janë duke vijuar në lidhje me vdekjen e mistershme të katër turistëve rusë, Prokuroria e ka regjistruar këtë çështje për veprën penale të vrasjes.

Ndërkohë, Kreu i Komitetit Hetues të Rusisë (TFR), Alexander Bastrykin, është duke pritur për informacion të detajuar në lidhje me vdekjen e katër turistëve rusë, njoftoi të hënën faqja e internetit e agjencisë.

“Rusët erdhën në hotel nga Maqedonia e Veriut dhe kërkuan që të përgatisnin një pishinë për ta, të cilën ata donin ta vizitonin pas saunës. Mediat raportuan se klori në pishinën e hotelit mund të kishte vrarë rusët. Një punonjës mund të kishte përdorur shumë klor, që çoi në vdekjen e njerëzve”, lexohet në njoftimin për shtyp.

Një punonjës i hotelit ka deklaruar se pasi kishin mbërritur aty, ata kishin kërkuar të shkonin në sauna. Po ashtu kishin kërkuar verë dhe fruta. Por kur mbërriti porosia, askush nuk po e hapte derën e saunës. Një orë më vonë, punonjësi e hapi derën dhe i gjeti trupat e pajetë. Uji i pishinës është dërguar për ekzaminim, pasi dyshohet se kishte shumë klor.

Një nga viktimat ishte i shtrirë në një shezlong, dy ishin në një stol dhe i katërti ishte buzë pishinës me këmbët brenda saj. Një kolege e Sergey, Anastasia, ka folur për gazetën ruse.

“Sergey ishte një njeri shumë i mirë, nuk i kishte bërë keq askujt. Punonim së bashku. Ajo që ndodhi është shokuese. Ata vdiqën menjëherë, as nuk lëvizën. Të gjithë ishin në vendet e tyre. Jam e sigurt që ata nuk mund të mbyteshin apo të helmoheshin njëkohësisht. Dikush do të lëvizte apo duhej të rrëzohej, por ata qëndronin ulur në vendet e tyre. Nuk ka asnjë gjurmë. Ndoshta rezultatet e vërteta të autopsisë nuk do dalin kurrë në media. Ata nuk patën as kohë për të pirë apo ngrënë gjë. Dhe ata që shkruajnë gjëra pa kuptim, do të doja që të mos ndjenin dhimbjen që kemi ne,” tha ajo.