Transmetuar më 08-06-2022, 18:12

Kina ka publikuar një hartë të re gjeologjike gjithëpërfshirëse të Hënës në një shkallë 1:2 500 000, më e hollësishmja deri më sot.

Shkencëtarët kinezë nga shumë institute kërkimore dhe universitete kanë krijuar hartën topografike me qartësi të lartë bazuar në të dhënat nga projekti i eksplorimit hënor të Kinës “Chang’e” e të dhëna të tjera, si edhe nga zbulimet studimore prej organizatave ndërkombëtare.

Harta përfshin 12 341 të ashtuquajtura kratere ndikimi e 81 pellgje ndikimi (pra kratere ose pellgje të shkaktuara nga ndikimi i meteoritëve ose trupave të tjerë qiellorë), 17 lloje shkëmbinjsh dhe 14 lloje strukturash, duke ofruar informacion të pasur rreth gjeologjisë së Hënës dhe evolucionit të saj.

Kjo hartë pritet të japë një ndihmesë të madhe në kërkimin shkencor, eksplorimin dhe përzgjedhjen e vendit të uljes në Hënë.

Projektin e ka udhëhequr Instituti i Gjeokimisë i Akademisë së Shkencave të Kinës, së bashku me organizata të tjera, si Akademia e Shkencave Gjeologjike e Kinës, Universiteti i Gjeoshkencave i Kinës dhe Universiteti i Shandong-ut.

Harta u publikua në “Buletinin Shkencor” më 30 maj.

Në vitin 2020, Qendra Shkencore e Astrogjeologjisë USGS krijoi dhe publikoi një hartë të Hënës në shkallën 1:5 000 000.