Transmetuar më 18-09-2022, 16:36

Astronautët kinezë të “Shenzhou-14” përfundojnë ecjen e dytë hapësinore

Astronautët kinezë, ose taikonautët siç njihen ndryshe, të misionit “Shenzhou-14" filluan veprimtaritë e tyre të dyta jashtë stacionit hapësinor të shtunën, sipas Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Kozmonautë të Kinës.

Ecja në hapësirë filloi më 13:35 sipas orës së Pekinit. Në orën 5:47 pasdite, ekuipazhi i “Shenzhou-14” e përfundoi me sukses misionin, i cili zgjati rreth pesë orë.

Ekuipazhi kreu veprime të tilla si instalimi i një pajisjeje që përdoret për fiksimin e këmbëve të astronautëve në krahun robotik, dhe i një doreze ndihmëse, e cila mund t’i ndihmojë astronautët të hapin derën e kapakut nga jashtë në rast emergjence.

Taikonautët gjithashtu instaluan pompa shtesë, pajisjet kryesore të sistemit të kontrollit termik të stacionit hapësinor, dhe kryen detyrën më të vështirë të shpëtimit jashtë mjetit për herë të parë.

Ata u ndihmuan në kryerjen e detyrave të tyre nga një krah i vogël robotik në modulin “Wentian”.

Treshja e astronautëve e përfundoi me sukses ecjen e parë hapësinore nga kabina e presionit të modulit laboratorik “Wentian” më 2 shtator, që zgjati rreth shtatë orë.

Ekuipazhi, i quajtur shpesh "ekuipazhi më i ngarkuar i një misioni ‘Shenzhou’ deri më sot", ka punuar në detyra të ndryshme që nga fillimi i shtatorit. Ata filluan të përgatiteshin për veprimtari gjithnjë e më komplekse pothuajse menjëherë pas ecjes së tyre të parë në hapësirë.

Ecjet e rregullta jashtë janë të nevojshme për stacionet hapësinore. Për të arritur objektivin, astronautët dhe personeli i kontrollit në tokë duhet të jenë të aftë në bashkëpunim dhe të kryejnë përgatitje të shumta.

Më 6 shtator, taikonautët biseduan me të rinj afrikanë. Ata gjithashtu volën dhe shijuan lakrën e rritur në hapësirë dhe kremtuan Festën e Mesvjeshtës, ekuipazhi i parë i një misioni “Shenzhou” që e bën këtë në hapësirë.

Ndërtimi i stacionit hapësinor kinez do të përfundojë para dhjetorit të këtij viti, kur struktura në formë T-je do të shfaqet plotësisht 400 km mbi Tokë.

Kina planifikon të nisë modulin laboratorik “Mengtian” në tetor, ndërsa më vonë po këtë vit do të dërgojë anijen kozmike të mallrave “Tianzhou-5” dhe anijen kozmike me ekuipazh “Shenzhou-15” në stacionin hapësinor. Anëtarët e ekuipazhit të “Shenzhou-15” do të bashkohen me astronautët e “Shenzhou-14” për dorëzimin e parë të detyrës mes ekuipazheve në stacionin hapësinor.