Transmetuar më 21-09-2022, 08:10

Ndalesa e kampionatit sjell moment frymëmarrje në futboll. Të paktën kështu shpresojnë Interi dhe Juve. Fillimi i sezonit ka rezervuar pak ide pozitive, deficite në renditje dhe performanca shqetësuese. Një trend për t’u kthyer sa më shpejt për Inzaghin dhe Allegrin, posti i të cilëve mund të vihet në dyshim nëse pika e kthesës nuk arrin në javët në vijim. Gjithashtu, sepse ka shumë trajnerë të rëndësishëm në treg, gati për t’i zëvendësuar.

1. Thomas Tuchel

Një nga emrat më emocionues është padyshim i tij, pas shkarkimit të diskutueshëm nga Chelsea më 7 shtator. Në krye të Bluve, gjermani kishte fituar Champions League dhe Botërorin për Klube. Ai u zëvendësua nga Graham Potter, i marrë nga Brighton me pagesën e klauzolës. Tuchel ka një kontratë të vlefshme me Chelsea deri në vitin 2024.

2. Mauricio Pochettino

Të mos fitosh Ligën e Kampionëve mjafton që pronarët e PSG-së të ndryshojnë trajner. Kapitali i investuar është i madh, objektivat duhet të jenë në përputhje. Pochettino u largua nga Franca korrikun e kaluar, Christophe Galtier zuri vendin e tij dhe argjentinasi pret një aventurë të re. Marrëveshja me PSG-në skadon në fund të sezonit.

3. Zinedine Zidane

Për momentin, karriera e tij si trajner ka qenë e lidhur vetëm me një ekip, Real Madridin. Fillimisht skuadrat e të rinjve dhe Castilla, më pas dy periudha në krye të ekipit të parë të “Los Blancos”, 2016-2018 dhe 2019-2021, të karakterizuara nga sukseset. Francezi ka fituar ndër të tjera dy tituj të La Liga-s dhe tre Champions League. Propozimet i nuk kanë munguar në periudhën e fundit, por nuk është angazhuar me asnjë klub. Disa thonë se po pret stolin e kombëtares së Francës.

4. Rafa Benitez

Arritjet në Spanjë dhe Angli e bëjnë atë një nga teknikët më të respektuar në Evropë. Eksperienca e tij e fundit daton në sezonin e kaluar, tek Everton, e cila përfundoi në janar, kur u shkarkua, megjithëse është i lidhur me klubin anglez deri në vitin 2024. Ai e njeh mirë Serie A, pasi ka drejtuar Napolin dhe Interin.

5. Paulo Sousa

Në Itali luajti me Juventusin, Interin dhe Parmën, si trajner ai drejtoi vetëm Fiorentinën, midis viteve 2015 dhe 2017. Për pjesën tjetër bëri turne nëpër stolat e botës: Portugali, Angli, Hungari, Izrael, Zvicër, Francë, Kinë, Poloni, deri në Brazil. Te Flamengo, aventura e tij më e fundit përfundoi në qershor. Në muajt e ardhshëm do të jetë i lirë nga kontrata që e lidh ende me klubin brazilian.

6. Klaudio Ranieri

Pragmatizmi i tij vlerësohet kudo. Ai ka thellësinë për të qetësuar ujërat dhe për të rivendosur stabilitetin në një dhomë zhveshjeje. Autori i mrekullisë së Leicesterit në vitin 2016. Watford e shkarkoi atë në mesin e sezonit të kaluar, por mbetet nën kontratë me klubin anglez deri në fund të sezonit aktual.

7. Marcelo Bielsa

Leeds ishte përvoja më e gjatë në një klub për Marcelo Bielsa. Ai u lirua nga posti i tij në shkurt nga klubi anglez, kontrata e tij përfundoi. “El Loco” nuk ka trajnuar asnjëherë në Itali, edhe pse në vitin 2016 kishte firmosur me Lazion, përpara një kthese të bujshme.

8. Jorge Sampaoli

Divergjenca e pikëpamjeve me Marseille çoi në ndarje gjatë verës, me francezët që u kthyen te Igor Tudor. Ai ka një të kaluar te Sevilla dhe në krye të kombëtares së Argjentinës, por arritja më e madhe mbetet fitorja e Kupës së Amerikës në vitin 2015 me Kilin.

9. Joachim Löw

15 vite si trajner i Gjermanisë, periudhë që arriti kulmin me triumfin në Kupën e Botës 2014. Njëfarë hutimi mund të lidhet me faktin se klubi i fundit për të cilin ai punoi ishte Austria Vjena, 18 vite më parë.

10. Ole Gunnar Solskjaer

Ai duhej të ishte njeriu i duhur për të ringjallur Manchester United, një mision që vitet e fundit ka rezultuar një zhgënjim i vërtetë edhe për pasardhësit e tij të menjëhershëm. Sot në krye të “Djajve të Kuq” është Ten Hag, por ish-sulmuesi norvegjez ka kontratë deri në vitin 2024.