Transmetuar më 21-09-2022, 10:23

Rusia nuk do të marrë pjesë në Evropian 2024. UEFA ka komunikuar me një shënim të gjatë në kanalet e saj zyrtare se nuk do ta përfshijë kombëtaren ruse në shortin për grupet kualifikuese të kompeticionit në fjalë, që do të mbahet në Frankfurt më 9 tetor.

Në realitet, ky lajm ishte paralajmëruar nga Andrii Pavelko, president i Federatës së Ukrainës dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA -s, përmes një postimi në mediat sociale: "Rusët nuk kanë asgjë për të përgatitur. Siç kërkohet, Rusia nuk do të jetë më 9 tetor në Frankfurt. Kampionati Evropian i vitit 2024 do të zhvillohet pa një vend agresor".

Sipas gjasave, sportistët rusë dhe bjellorusë mund të mos lejohen të garojnë as në Lojërat Olimpike “Paris 2024” për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska. Lajmin e konfirmuan drejtuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

“Do të duhet të merret një vendim për atë që ndodh me secilin prej këtyre dy vendeve dhe supozimi im është se ato nuk duhet të kualifikohen në Olimpiadë, – tha për mediat britanike ish-zëvendëspresidenti i IOC, Reedie.

–  Sportistët e këtyre dy shteteve nuk mund të garojnë momentalisht në aktivitete ndërkombëtare, ndaj do të humbasin eventet kualifikuese për Parisin si rezultat i masave që ka marrë IOC. Është mjaft e vështirë të ndryshoh rregullat në gjysmën e rrugës dhe t’iu themi atyre që janë kualifikuar se gjërat do të ndryshojnë”.

Nga sportet në programin olimpik, vetëm çiklizmi, tenisi dhe xhudo i kanë lejuar rusët dhe bjellorusët të vazhdojnë të konkurrojnë si neutralë, por Reedie tha se dyshonte se edhe atletët nga ato sporte do të lejoheshin të merrnin pjesë në garat kualifikuese për Olimpiadën. Federatat kanë një udhëzim për të cilin kanë rënë dakord se nuk do të ftojnë rusët dhe bjellorusët të marrin pjesë në evente ndërkombëtare.