Transmetuar më 21-09-2022, 14:14

Është dita e tretë e përgatitjeve të kombëtares kuqezi në Durrës. Trajneri Edy Reja po kristalizon mendimin për formën e secilit lojtar dhe formacionin me të cilin do të paraqitet ndaj Izraelit më 24 shtator, në transfertë.

Pra, fokusi është te sfida e parafundit e Ligës së Kombeve, sepse pa një rezultat pozitiv në të, nuk do të kishte vlerë asgjë tri ditë më pas, ndaj Islandës në “Arena Kombëtare”. Sot, në konferencë për shtyp ka dalë Sokol Cikalleshi, nga i cili pritet goli:

“Këtë javë po punojmë për shënimin e golave. Po bëjmë më të mirën për momentin, edhe pse grupi nuk është i plotë. Më mirë është kur luan me dy sulmues, pasi mundësia e shënimit është më e madhe kur ke një partner tjetër. Në ndeshjen e fundit kemi bërë gabime, të cilat mund të evitoheshin. Për këtë gjë po punojmë, kemi bërë analiza me video.

I kemi parë ato gabime. Kemi një rival të vështirë, është një grup më i vështirë se e kemi pasur më përpara. A jam larguar nga kombëtarja me ekipin e ri? Jam pak larg gjeografikisht, në Arabi. Wshtë një pikë e karrierës time ku po tentoj një aventurë te re. Mund të kthehem sërish te Konyaspor. Është paksa larg, sigurisht që në Arabi nuk është njësoj si të luash në Turqi.

Besoj se ftesa e kombëtares nuk do të mungojë nëse shënoj edhe në Arabi. Nëse do të jem në gjendje të keqe, edhe kombëtarja nuk do të më thërrasë. Eljon Toci? Uroj që të ketë karrierë të mirë, ka kohë ende për t’u përmirësuar. Mos e krahasoni fare me Cikalleshin, të bëhet më i mirë”.