Transmetuar më 22-09-2022, 08:18

Gëzuar “ditëlindjen”, José Mourinho! Trajneri portugez feston 22 vite karrierë si trajner. Një karrierë e mbushur me trofe, çmime dhe shumë kënaqësi. Titulli i fundit me Romën, teksa fitoi sezonin e kaluar “Conference League”, finalja e së cilës u luajt në Tiranë.

“Special One” bëri disa deklarata në “Golden Quinas Gala”, pikërisht ditën kur mbushi 22 vite karrierë. Këto janë fjalët e tij: “Kaluan shpejt, por dua të vazhdoj. Ndihem mirë, ndihem i fortë, i motivuar, më pëlqen të fitoj, e urrej humbjen.

Pra, asgjë nuk ka ndryshuar. Ngjyra e flokëve po, edhe rrudhat, por jam gati të vazhdoj. Ndoshta jo edhe për 22 vite të tjera, sepse nuk ka kohë, por edhe për disa vite të tjera”.

Mourinho foli edhe për përjashtimin me karton të kuq në ndeshjen e fundit kundër Atalantës: “Sot, që festoj 22 vite karrierë si trajner, kartoni i kuq nuk është i ri për mua. Ndoshta reflekton mënyrën time të të qenurit dhe të reaguarit.

Nuk dua që kjo qasje e të parit të gjërave të ndryshojë. Sezonin e kaluar bëmë atë që askush nuk e priste, këtë sezon do të përpiqemi të bëjmë më mirë. Ne nuk kemi të njëjtin potencial ekonomik si rivalët tanë, kemi shpenzuar 7 milionë euro në merkaton e verës, por kemi cilësi, pasion.

Po flas për shumë njerëz që duan të punojnë së bashku, çka është një gjë e rëndësishme, pastaj do të shohim në fund të sezonit”.

Për të ardhmen si trajner, portugezi shtoi se vendi që lakmon tashmë, stolin e kombëtares luzitane, është i zënë: "Kush e di nëse Fernando Santos nuk do të vazhdojë edhe për shumë vite në krye të kombëtares… Urime!"