Transmetuar më 22-09-2022, 08:41

Tiranë- Policia e Tiranës ka goditur nje rast të shfrytëzimit të prostitucionit dhe shpërndarjes së drograve të forta e llojit kokainë. Operacioni është finalizuar nga komisariati nr.6.

Në sajë të këtij operacioni është vënë ne pranga një i ri, i cili akuzohet për shfrytëzim prostitucioni.

Burime bëjnë me dije se i riu shfrytëzonte për prostitucion vajza dhe i paguante ato me para false, ku në disa raste ka përdorur paund fals.

Por nuk mungonin rastet kur vajzat e shfrytëzuar paguheshin edhe me doza kokaine.

Pas marrjes së informacionit për këtë aktivitet të paligjshëm, policia ndërmori operacionin dhe në banesën e këtij shtetasi në zonën e Kombinatit u ndaluan i riu, vajza që shfrytëzohej për prostitucion, dhe një shtetas tjetër që shpërndante kokainë. Po punohet për zbardhjen e aktivitetit të paligjshëm për këtë rast.