Transmetuar më 23-09-2022, 08:15

Kur Cristiano Ronaldo u transferua te Manchester United, gjeti disa lojtarë të rëndësishëm që e prisnin atje. Një nga këto, Rio Ferdinand, kujtoi herën e parë të CR7 në "Old Trafford", kur talenti shumë i ri kishte një mënyrë të luajturi që nuk ishte akoma ajo që do ta bënte më të mirin në botë disa vite më vonë.

Dhe, siç shpjegoi ish-mbrojtësi anglez në "BT Sports", portugezi i zemëroi shokët e tij të skuadrës me veprimet individuale dhe driblimet. Në veçanti irritoi Ruud van Nistelrooy, me të cilin përplasjet kanë qenë mjaft të forta:

"Ai nuk u bë fenomen menjëherë, por kishte një aftësi të jashtëzakonshme dhe i pëlqente të argëtonte audiencën. Ronaldo e donte shumë driblimin dhe për këtë arsye u qortua shpesh në stërvitje. Mbaj mend një herë, mendoj se ishte një moment i rëndësishëm për të, por në atë kohë nuk e mori mirë.

Në atë kohë te Manchester United ishte Van Nistelrooy, ylli ynë, që shënonte thuajse të gjithë golat. Ronaldo kishte topin, u përpoq t’i driblonte të gjithë dhe Ruud vrapoi drejt tij i irrituar. Ronaldo nuk ia pasoi topin dhe Ruud u tërbua fare, filloi të bërtiste: Ti duhet të shkosh në cirk, nuk e ke vendin në futboll. Ronaldo mbeti i trishtuar dhe i zemëruar: Pse më thotë kështu?"

Ferdinand, megjithatë, shpjegon se ai "dush i ftohtë", në fund të fundit, mund t’i ketë bërë mirë portugezit: "Ai ishte 18 ose 19 vjeç, djemtë e tjerë të asaj moshe do ta kishin humbur besimin në vetvete. Të tjerët do të kishin vazhduar të bënin të njëjtat gjëra, por Ronaldo e dinte që Ruud po e kritikonte për mirë.

Për këtë arsye, nga ai moment, statistikat, golat… do ta bënin më të mirin në botë. Mori përsipër të përfaqësojë numrin 7, të cilin e kishte mbajtur Beckham më përpara. Dhe krijoi ‘markën’ e vet me atë numër".

Me pak fjalë, nga ato momente të ndërlikuara lindi CR7, që e njeh e gjithë bota: "Sa i përket mënyrës së tij të të menduarit, nuk njoh një futbollist më të fortë, të vendosur, pothuajse të fiksuar si ai. Unë pata fatin ta shihja teksa rritej si futbollist dhe njeri, ndërsa jepte gjithçka në stërvitje. Ai ishte absolutisht i fiksuar pas fitores.

Donte t’i fitonte ndeshjet dhe gjithmonë të shënonte golin e fundit. Ai arriti te Manchester United fare i ri dhe u largua që aty si më i miri në bota". Ndoshta, edhe falë atyre britmave të Van Nistelrooy…