Transmetuar më 25-09-2022, 12:54

KORÇË- Deizi Arapi kërkon ndihmë nga shteti. Kështu dëshmoi e reja, mjeti i së cilës u gjet i shkrumbuar para banesës. Përballë grupit hetimor, ajo akuzoi deputetin e Partisë Demokratike e njëkohësisht, ish-kryebashkiakun Bledion Nallbatin, për të cilin tha se ka pasur konflikte në të shkuarën. Arapi ka deklaruar se konflikti me Nallbatin nisi katër vite më parë, pasi nëna e saj u pushua nga puna padrejtësisht. Që nga ajo kohë, 27-vjeçarja thotë se kanë nisur konfliktet me Nallbatin.

Po ashtu, ajo bën të ditur se ditën e djeshme është ndjekur nga një person me të cilin shkëmbeu disa fjalë, i cili beson se është punonjës i karburantit në pronësi të Nallbatit.

‘I kërkoj ndihmë shtetit pasi është hera e dytë që me ndodh dhe ka lidhje me një konflikt të vjetër. Unë jam femër as kam vrarë dhe as kam prerë. I lutem shtetit se jeta ime është në rrezik. Nuk mund të dal dot. Unë kam dyshimet e mia se kush e ka bërë, kam parë skenën, kam parë personin që më ruante, i kam me emra, personi është treguar neglizhent, ka harruar dhe bidonin e benzinës.

Dhashë deklaratën time, emrin e personit që unë dyshoj. është diçka që ndodh dy herë, herën e parë e konsideruan aksidentale po tani? Katër vite më parë mamaja ime është pushuar nga puna si pastruese padrejtësisht dhe unë jam konfliktuar me ish kryebashkiakun Bledion Nallbati. Pas konfliktit mu dogj makina e parë. Dje gjatë gjithë ditës më ka ndjekur një person me të cilin dhe kam shkëmbyer fjalë mbrëmë. Ai është punonjës i karburantit në pronësi të Bledion Nallbatit. Në vendngjarje është gjetur një bidon benzine nga ky karburant ashtu si herën e kaluar. Policia nuk ka cilësuar ende asgjë. Ai po me ruante, dukej se ishtë në pritje të parkimit të makinës. Djegien e makines së parë policia e konsideroi aksidentale por ja qe ngjarja po përsëritet. I lutem shtetit, është hera e dytë, herën e tretë nuk merren masa do më gjeni kanaleve e sigurtë”, ka deklaruar ajo në polici.

Ditën e sotme, policia deklaroi se mjeti në pronësi të Deizi Arapit është gjetur i djegur. Kjo nuk është hera e parë që mjeti i saj gjendet i djegur. Në vitin 2018, vajza e cila u arrestua një muaj më parë nga policia, gjeti mjetin ‘Smart’ të shkrumbuar.