Transmetuar më 25-09-2022, 15:00

VLORË- Iu kapën 218 mijë euro duke hyrë me kamion në Shqipëri, arrestohet në port shoferi i kamionit, Alfred Bazini.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin Vlorë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një mjet kamion tip "DAF", me drejtues shtetasin Alfred Bazini.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 218 885 euro të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje. Në përfundim të veprimeve në kuadër të operacionit “Excise”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë  Alfred Bazini, 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi", "Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë". Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.