Transmetuar më 05-10-2022, 20:56

Fier- Ndahet nga jeta kompozitori i mirënjohur i Fierit, por jo vetëm, Nikollaq Bulo.

Nikollaq Bulo u shua në moshën 83-vjeçare dhe ishte kompozitori i qindra këngëve për fëmijë e të rritur, popullore apo dhe qytetare.

Bulo mban autorësinë e krijimit të Bandës Frymore të qytetit Fierit, Orkestrës Simfonike të këtij qyteti, por edhe të Ansamblit Myzeqeja.

Ai ishte kompozitor i mirënjohur në shkallë vendi dhe pjesëmarrës në shumë prej festivaleve të RTSH.

I ndjeri ishte nismëtari i festivaleve për fëmijë e të rritur në Fier.

Jeta e trazuar në sistemin diktatorial, nuk mundi të frenonte talentin dhe pasionin e Nikollaq Bulos si një muzikant i talentuar dhe lider në qytetin myzeqar.

Bulo mbante titujt e lartë: Nderi i Qarkut Fier dhe ishte vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri”.