Transmetuar më 16-10-2022, 14:00

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur paraditen e kësaj të diele në Serbi, rreth 12 kilometra në jugperëndim të Valjevës, në afërsi të digës së Rovnit. Sipas informacioneve paraprake një autobus ka dalë nga rruga duke lënë të vdekur një person, ndërkohë që 16 pasagjerë të tjerë janë plagosur.

Minibusi, i cili transportonte kryesisht pensionistë nga zona e Oseçinës, të cilët po shkonin për në rajonin e Valjevës, ka dalë nga rruga duka shkatërruar barrierat anësore dhe duke përfunduar 50 metra në greminë.

Të plagosurit kanë marrë dëmtime të shumta në gjymtyrë dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor në spitalin e Valjevës.

Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se numri i të vdekurve mund të jetë më i madh, por deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.

Sipas mediave serbe, përmbysja e mikrobusit ka ndodhur kur drejtuesi ka dalë nga mjeti pa ngritur frenat e dorës, për pasojë autobusi ka rënë në të tatëpjetë dhe më pas është përmbysur.

Policia dhe grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.