Transmetuar më 29-11-2022, 23:26

Xhubleta shqiptare e lashtë 4 mijë vjet tashmë është një pasuri e të gjithë njerëzimit. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ajo shkruan se tashmë xhubleta shqiptare është pjesë e UNESCO-s.

“Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë #kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë! Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit!”– shkruan ndër të tjera ministrja.

Xhubleta është një veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqiptare në Malin e Zi.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dyte p.e.s dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetar.

Në misterin e xhubletës janë një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te Zoti, dashurinë dhe bukurinë e femrës malësore.

Raportohet se në arkivin shtetëror ndodhen diku tek 33 xhubleta.

Por jo vetëm kaq pasi mësohet se koleksionet private shkojnë deri në qindra.