Transmetuar më 12-12-2022, 08:10

Sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman po përgatitet të njoftojë brenda disa ditësh “një tjetër goditje” ndaj emigrantëve shqiptarë që shkojnë në Angli në mënyrë ilegale me varka të vogla.

Sipas shkrimit të medias britanike The Sun, kryeministri Rishi Sunak u ka thënë deputetëve konservatorë në mënyrë private se frenimi i emigracionit në Britani është "përparësia e tij numër një".

Sunak ka punuar me Sekretaren e Brendshme në një plan top-sekret që do të jetë edhe më i ashpër për emigrantët e paligjshëm.

Një zyrtar i lartë i qeverisë i tha “The Sun” se plani do të publikohet shumë shpejt, para Krishtlindjeve.

Plani top-sekret përmban një paketë të plotë masash për të goditur mjetet lundruese që vijnë me emigrantë nga kanali i La Manshit në mënyrë që të ulë numrin e azilkërkuesve në vend.

Brenda 2022 mbi 40 mijë njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla dhe më shumë se një e katërta e tyre janë shqiptarë.

Javën e kaluar, Ministri i Emigracionit Robert Jenrick tha se emigrantët shqiptarë duhet të ndalohen të kërkojnë azil.

“Shqipëria është një vend dukshëm i sigurt. Është shumë e vështirë të shihet se si një shqiptar duhet të jetë në gjendje të kërkojë azil këtu në Britani dhe ta fitojë atë”, tha ai.

Braverman nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj emigrantëve shqiptarë duke i cilësuar ‘kriminelë’, gjë që nxiti kritikat e qeverisë shqiptare duke dënuar deklaratat e saj.

Edhe ambasadori shqiptar në Londër tha se këto deklarata duhen ndalur pasi nxisin racizmin.