Transmetuar më 09-01-2023, 15:52

Senegal- Një aksident tragjik ka ndodhur në Senegal ku 39 njerëz kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë u plagosën si pasojë e përplasjes së dy autobuzëve. Presidenti Macky Sall, ka shpallur 3 ditë zie kombëtare dhe ka bërë thirrje për të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar sigurinë rrugore.

Departamenti i zjarrëfikësve dhe Autoritetet lokale kanë bërë me dije se aksidenti, më vdekjeprurës në vendin e Afrikës Perëndimore në vitet e fundit, ndodhi natën e së dielës rreth orës 03:00 (ora lokale) pranë qytetit Kafrin, rreth 250 kilometra në juglindje të kryeqytetit Dakar.

Qeveria publikoi mbrëmjen e së dielës së kaluar një lajm, në komunitetin Sikilo, ku flitej për 39 të vdekur, 53 të lënduar që janë shtruar dhe po trajtohen në spitale dhe 42 me lëndime të lehta, të cilëve iu ofrua kujdes në qendrat shëndetësore lokale.

Dy autobusët kishin “139 udhëtarë në momentin e aksidentit”, tha qeveria në një njoftim për shtyp.

Më tej, presidenti Sall i cili shkoi për të vizituar pacientët në spitalin Kafrin, shpjegoi se dhjetë nga të lënduarit janë në gjëndje kritike për jetën.

“Më shumë se 20 trupa janë identifikuar dhe së shpejti do t’u dorëzohen familjeve për funeralet e tyre”, tha ai.

Kreu i shtetit, i cili shpalli “tri ditë zie kombëtare”, premtoi veprime të shpejta për të mos u përsëritur “tragjedi” të kësaj natyre.

“Ne nuk mund t’i ekspozojmë jetët e bashkëqytetarëve tanë ndaj një sistemi transporti që sfidon respektin për jetën njerëzore,” tha zoti Sall.

Gjatë ditës së sotme, pritet që kryeministri të mbledhë një këshill ndërministror për të shqyrtuar marrjen e masave për gjendjen e automjeteve, ekspertizën, lejet e qarkullimit dhe oraret.

Kryetari i bashkisë së Kafrinit, Abdoulaye Saidu So, ish-ministër i Zhvillimit Urban dhe Strehimit, si dhe prokurori i qytetit fqinj Kaholak, tregoi se aksidenti u shkaktua nga një plasje gome në njërin prej dy autobusëve dhe më pas ata u përplasën.

Udhëheqësi i opozitës Usman Sonko, një kandidat në zgjedhjet presidenciale të 2024, tha në Tëitter se po "organizonte një mbledhje fondesh për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve t’i japin “përparësi” pasigurisë në rrugë, të cilën ai e përshkroi si një plagë me pasoja shkatërruese njerëzore, sociale dhe ekonomike për vendin".

Aksidentet e trafikut që përfshijnë autobusë janë jashtëzakonisht të zakonshme në Afrikë, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së automjeteve, kushteve të këqija të rrugës dhe gabimeve në drejtimin e automjetit, pasi shumë shoferë marrin patentat e tyre duke dhënë ryshfet pa shkuar në shkollat e drejtimit të automjeteve të rënda.

Policia ka raportuar se 21 persona kanë humbur jetën dhe 49 të tjerë kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e së shtunës në një aksident me një autobus në kufirin e Kenias dhe Ugandës. Shumica e viktimave ishin shtetas kenianë por, humbën jetën edhe 8 shtetas ugandë. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë.

Qeveria e Ugandës ka njoftuar gjithashtu masa për të përmirësuar sigurinë rrugore pas një rritjeje të viktimave në rrugë gjatë sezonit të festave të fundvitit. Sipas autoriteteve në Kampala, në vetëm tre ditë, nga 30 dhjetori deri më 1 janar, janë regjistruar 104 aksidente trafiku me gjithsej 35 të vdekur dhe 114 të lënduar.